E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Trump fjalim para kombit pas një viti të parë të diskutueshëm

UASHINGTON, 24 shkurt /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të mbajë sonte fjalimin e parë para kombit apo siç quhet ndryshe ”State of the Union”, të mandatit të tij të dytë duke publikuar rezultatet e vitit të tij të parë të diskutueshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Fjalimi në të dy dhomat e Kongresit në Uashington mund të ofrojë një pamje të vlerësimit të Trump për performancën e administratës së tij përpara zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.

Ndërsa këto lloj fjalimesh kanë tendencë të përqendrohen shumë në zhvillimet e brendshme, presidenca e dytë e Trump është shënuar nga fokusi i saj i fortë në çështjet e jashtme, nga përpjekjet për t’i dhënë fund luftërave në Ukrainë dhe Gaza deri te kapja e sundimtarit venezuelian, Nicolas Maduro dhe konflikti me Iranin.

Trump foli në një seancë të përbashkët të Kongresit në mars 2025, por teknikisht ky nuk ishte një fjalim para kombit.

Fjalimi i sotëm vjen disa ditë pasi politikat historike të tarifave të Trump u rrëzuan nga Gjykata Supreme e SHBA-së, në një humbje të turpshme për presidentin, që i ka lënë partnerët tregtarë globalë të përpiqen të kuptojnë pasojat.

Në nivel të brendshëm, goditja brutale e Trump ndaj emigrantëve, e kryer nga agjencia e Imigracionit dhe Doganave (ICE) e SHBA-së, ka provokuar protesta masive kundër bastisjeve në shumë qytete, përfshirë Mineapolis.

Pas dhunës në Minneapolis në fillim të këtij viti, demokratët kanë vazhduar të bllokojnë fondet për Departamentin e Sigurisë Kombëtare.

Përgjigjja tradicionale e opozitës ndaj fjalimit të presidentit do të jepet nga guvernatorja demokrate, Abigail Spanberger e Virxhinias.

Ky fjalim vjen në një vit veçanërisht të rëndësishëm për SHBA-në, e cila feston 250-vjetorin e Deklaratës së Pavarësisë në korrik./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›