Përfitues i Skemës Kombëtare, fermeri nga Lushnja investoi për kultivimin e perimeve për eksport

TIRANË, 9 qershor /ATSH/ Alban Beqiri, fermer në Imësht, Lushnje kultivon perime në 2 hektarë serra dhe rreth 100 hektarë me shalqi në fushë të hapur, që janë të destinuara kryesisht për eksport.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, ndau në rrjete sociale historinë e tij, si shembullin model që siç tha ajo “kontribuon në ekonominë lokale dhe në promovimin e produkteve Made In Albania në tregjet ndërkombëtare”.
Synimi i tij është të zgjerojë më tej aktivitetin bujqësor, duke shtuar sipërfaqet me serra, për të garantuar prodhim të qëndrueshëm dhe me cilësi të lartë gjatë gjithë vitit.
Denaj tha se, Albani është prej vitesh përfitues i Skemës Kombëtare, mbështetje të cilën e ka kërkuar sërish edhe këtë vit, për të vazhduar rritjen e kapaciteteve të fermës së tij.
Ndërsa Albani tregon se, prodhimet bujqësore nga ferma e tij, eksportohen në Austri, Gjermani dhe vende të tjera.
“Kam të punësuar rreth 40 fermerë nga zona, synimi është të shtoj prodhimin cilësor me produktet që kërkon tregu”, tha Albani.
1 nga 3/a.f/