KIEV – Zelensky i dorëzon presidentit polak Duda Urdhrin e Lirisë së Ukrainës

KIEV, 28 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i dorëzoi sot homologut të tij polak në largim Andrzej Duda, Urdhrin e Lirisë të vendit të tij – gjatë një vizite sot në Kiev.
“Çmimi nderon “meritat e rëndësishme personale” të Duda-s në forcimin e bashkëpunimit polako-ukrainas dhe mbështetjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës”, sipas një dekreti të lëshuar nga administrata presidenciale në Kiev.
Takimi u zhvillua në Ditën e Kushtetutës së Ukrainës. Mandati i Duda-s përfundon më 6 gusht, ai do të pasohet nga presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki.
Duda mbërriti në Kiev sot në mëngjes në një vizitë të paparalajmëruar.
Pamjet në platformën e tij X treguan Duda-n duke u pritur nga ministri i Jashtëm Andriy Sybiha dhe më pas, së bashku me Zelensky, duke vendosur kurora në vendin përkujtimor të ushtarëve ukrainas të vrarë gjatë pushtimit te vazhdueshëm rus.
Duda e ka vizituar vazhdimisht Ukrainën për të demonstruar solidaritetin e tij me vendin.
Agjencia polake e lajmeve PAP citoi mesazhin e falënderimit të Sybiha-s për Duda-n në mediet e tij sociale, duke vënë në dukje se ai dhe populli polak gjithmonë kishin treguar solidaritet të vërtetë me Ukrainën.
Që nga fillimi i sulmit të plotë rus ndaj fqinjit të saj në shkurt 2022, Polonia ka qenë një nga mbështetëset më aktive të Ukrainës.
Aeroporti Rzeszów-Jasionka në Poloninë juglindore dhe linja hekurudhore që të çon në kufirin e përbashkët janë rrugë të rëndësishme transporti për mallrat ushtarake evropiane dhe amerikane për Ukrainën. //a.i/