E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky mirëpret ofertën e Putinit për bisedime

KIEV, 11 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mirëpriti sot ofertën e homologut të tij rus, Vladimir Putin për negociata të drejtpërdrejta në Turqi, por këmbënguli që një armëpushim i plotë duhet të hyjë në fuqi të hënën.

“Është një shenjë pozitive që rusët më në fund kanë filluar të marrin në konsideratë përfundimin e luftës”, shkroi sot Zelensky në X, një ditë pasi udhëheqësit evropianë u mblodhën në Kiev për të mbështetur një përpjekje të mbështetur nga SHBA-të për të ndaluar luftimet në Ukrainë duke kërcënuar Moskën me sanksione nëse nuk i përmbahet.

“E gjithë bota e ka pritur këtë për një kohë shumë të gjatë”, shtoi Zelensky.

“Dhe hapi i parë në përfundimin e vërtetë të çdo lufte është një armëpushim”, tha ai.

Putin më parë propozoi të rifillojë bisedimet e drejtpërdrejta midis Moskës dhe Kievit pa parakushte në Stamboll që të enjten, megjithëse nuk iu drejtua drejtpërdrejt kërkesës për një armëpushim 30-ditor.

Presidenti turk, Recep Tajip Erdogan e ka përshkruar vendin e tij si një vend ideal për negociata të mundshme paqeje.

Zhvillimet erdhën pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Friedrich Merz, kryeministri britanik Keir Starmer dhe kryeministri polak Donald Tusk u takuan dje në Kiev./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›