E Diel, 1 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky në mosmarrëveshje me Poloninë për emrin e njësisë ushtarake të Luftës së Dytë Botërore

KIEV, 10 qershor /ATSH/- Ukraina po përballet me një krizë të madhe diplomatike, me aleaten e saj kyçe, Poloninë, pasi Kievi i vendosi një njësie ushtarake emrin e një force të diskutueshme të Luftës së Dytë Botërore, duke rihapur plagë të vjetra historike mes dy vendeve, raportoi BBC.

Presidenti polak, Karol Nawrocki po shqyrton mundësinë e heqjes së dekoratës më të lartë shtetërore të Polonisë, Urdhrit të Shqiponjës së Bardhë, që i është dhënë presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Nawrocki ka zhvilluar tashmë konsultime me Këshillin e Dekoratave dhe ka deklaruar se do të vendosë “në kohën e duhur” nëse nderimi do t’i hiqet Zelensky.

Përplasja nisi pasi Zelensky nënshkroi në fund të muajit të kaluar, një dekret që e emërton një njësi të Forcave të Operacioneve Speciale nën emrin “Ushtria Kryengritëse Ukrainase” (UPA), një organizatë që veproi gjatë viteve 1940 dhe 1950.

Në Ukrainë, shumë figura e konsiderojnë UPA, si simbol të luftës për pavarësi kundër Ushtrisë së Kuqe sovjetike, Gjermanisë naziste dhe autoriteteve polake.

Për këtë arsye, titulli “Heronjtë e Ushtrisë Kryengritëse Ukrainase” shihet si një nderim i madh.

Megjithatë, Polonia e akuzon UPA për kryerjen e masakrave ndaj polakëve etnikë, në rajonin e Volhinisë gjatë viteve 1943-1945.

Sipas Varshavës, rreth 100 mijë polakë u vranë në ato ngjarje, të cilat Polonia i cilëson si gjenocid.

Dekreti i Zelensky shkaktoi reagime të forta në Poloni. Nawrocki e dënoi vendimin si një “lavdërim të banditëve dhe vrasësve”, ndërsa kritikat erdhën nga i gjithë spektri politik, nga e djathta ekstreme deri te partitë e majta.

Shumë politikanë polakë argumentojnë se Ukraina po tregohet mosmirënjohëse ndaj Polonisë, e cila hapi kufijtë për miliona ukrainas, pas nisjes së pushtimit të plotë rus dhe vazhdon të strehojë afro një milion refugjatë.

Deputetë të partisë opozitare “Ligj dhe Drejtësi” kanë kërkuar një “rivlerësim rrënjësor të marrëdhënieve” me Kievin.

Ndërkohë, lideri i partisë së ekstremit të djathtë, Krzysztof Bosak ka kërkuar që Varshava të ndalojë financimin e shërbimeve satelitore “Starlink” për ushtrinë ukrainase dhe të bllokojë anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, derisa Kievi të tërhiqet nga vendimi i tij.

Nawrocki deklaroi se veprimi i Zelensky tregon se Ukraina nuk është gati të bashkohet me familjen evropiane.

Edhe kryeministri polak, Donald Tusk, i konsideruar përgjithësisht pro-ukrainas, i bëri thirrje Kievit të gjejë një zgjidhje, duke paralajmëruar se në të kundërt marrëdhëniet mes dy vendeve, mund të udhëhiqen nga interesa të ftohta politike dhe ekonomike.

Pavarësisht kritikave, Kievi nuk ka reaguar zyrtarisht, megjithëse Ministria e Jashtme ukrainase ka theksuar se nuk kishte synim të fyente Poloninë.

Shefi i kabinetit presidencial ukrainas, Kyrylo Budanov, udhëtoi në Varshavë fundjavën e kaluar në përpjekje për të ulur tensionet, por vizita duket se nuk ka dhënë rezultat.

Pas takimeve, Nawrocki mblodhi sërish Këshillin e Dekoratave për të diskutuar çështjen, ndërsa Tusk pranoi se “diplomacia nuk ka dhënë rezultate”.

Analistët paralajmërojnë se heqja e dekoratës ndaj Zelensky, mund të shkaktojë një përçarje serioze diplomatike mes dy vendeve, me pasoja të rëndësishme për bashkëpunimin polako-ukrainas.

Tusk ka bërë thirrje për dialog të drejtpërdrejtë mes Zelensky dhe Nawrocki, duke theksuar se bashkëpunimi është në interes të të dy vendeve, ndërsa përshkallëzimi i konfliktit politik i shërben interesave të Moskës. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›