KIEV – Zelensky planifikon të takohet me Merz në Berlin

KIEV, 26 maj /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Selensky pritet të vizitojë të mërkurën Berlinin për të takuar kancelarin gjerman, Friedrich Merz, raportoi sot media gjermane.
Revista “Der Spiegel” tha se Merz kërkon të diskutojë hapat e mundshëm drejt bisedimeve të mëtejshme “teknike” të paqes midis Ukrainës dhe Rusisë.
Merz, gjithashtu do të informojë presidentin ukrainas rreth planeve për një paketë të re sanksionesh të BE-së kundër Rusisë, që synon të rrisë presionin mbi Moskën – për t’u angazhuar në negociata serioze.
Kancelari gjerman, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji, ka shprehur mbështetje për propozimin e Komisionit Evropian – për të parandaluar rifillimin e operacioneve të gazsjellësit “Nord Stream” në Detin Baltik – sipas sanksioneve të reja.
Gjatë një vizite në Kiev në fillim të këtij muaji, Merz, së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik, Keir Starmer dhe kryeministrin polak Donald Tusk, paralajmëruan për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë – nëse Moska nuk do të binte dakord për një armëpushim 30-ditor.
Nën presionin e sanksiooneve, presidenti rus Vladimir Putin propozoi mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën në Stamboll, për herë të parë në tre vjet, por negociatat nuk prodhuan asnjë rezultat përveç një pakti për shkëmbimin e të burgosurve.
Zelensky do të takohet gjithashtu me presidentin gjerman, Frank-Walter Steinmeier në Berlin. //a.i/