E Martë, 3 Nëntor 2026

KIEV – Zelensky riorganizon udhëheqjen ushtarake pas sulmit rus

KIEV, 4 qershor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë ndryshime në krye të udhëheqjes ushtarake.

Ai tha në videomesazhin e tij të mbrëmjes se ish-shefi i ushtrisë, Mykhailo Drapatyi, ishte liruar nga detyra organizative si mobilizimi, stërvitja dhe përgatitja e rekrutëve.

“Drapatyi do të përqendrohet ekskluzivisht në çështjet e luftimit dhe është emëruar Komandant i Forcave të Përbashkëta – në mënyrë që të mund të përqendrohet në front 100%”, tha Zelensky.

Reduktimi i përgjegjësive të tij u parapri nga një sulm fatal me raketa ruse në vendin e stërvitjeve ushtarake në rajonin e Dnipropetrovskut.

Vetë Drapatyi kishte ofruar dorëheqjen e tij nëpërmjet Telegram dy ditë më parë si pasojë e fiaskos, në të cilën ai tha se 12 ushtarë ishin vrarë dhe dhjetëra të tjerë ishin plagosur. Megjithatë, 42-vjeçari konsiderohet një nga gjeneralët më të aftë të Ukrainës.

Kohët e fundit, ai stabilizoi situatën përpara qytetit të sulmuar të Pokrovskut në rajonin e Donetskut. Vëzhguesit besojnë se Zelensky nuk donte të hiqte dorë nga cilësitë e tij udhëheqëse në front.

Për më tepër, Zelensky emëroi Oleh Apostol si kreun e trupave parashutiste dhe Robert Brovdi si kreun e trupave të dronëve.

“Vadym Sukharevsky do të modernizojë të gjithë strukturën e komandës si zëvendëskomandanti i ri i Grupit të Ushtrisë Lindore”, tha Zelensky.

Ukraina është nën presion të madh në frontin e pushtimit të vazhdueshëm rus, i cili ka zgjatur më shumë se tre vjet.

Politikisht, Zelensky bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve të mëtejshme ndaj Rusisë pas sulmit me raketa në Sumy – në të cilin u vranë katër civilë dhe u plagosën rreth 30 të tjerë.

Ai tha se presidenti rus Vladimir Putin nuk do të ndryshonte taktikat e tij nëse nuk vihej nën presion më të madh. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›