E Martë, 3 Nëntor 2026

KINEMA – Michael Douglas nderohet me çmim në Festivalin e Filmit në Taormina

TAORMINA, 11 qershor /ATSH/- Michael Douglas u nderua dje në mbrëmje me Çmimin për Arritje Jetësore, në Festivalin e Filmit në Taormina, Itali – ku filmi “One Flew Over the Cuckoo’s Nest”, klasiku fitues i shumë çmimeve Oscar, i prodhuar nga aktori amerikan 50 vjet më parë, do të shfaqet në amfiteatrin e lashtë grek me 6 000 vende, sipas “Variety”.

Festivali drejtohet nga guruja e marketingut Tiziana Rocca, e cila ka lidhje të ngushta me Hollywood-in dhe është rikthyer tetë vjet pasi u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të mosmarrëveshjeve të brendshme politike në vitin 2017, pas një periudhe 5-vjeçare.

Douglas, 80 vjeç, mori çmimin në natën e hapjes së festivalit nga presidentja e Festivalit të Filmit në Kanë, Iris Knobloch, e cila po merr pjesë në një panel mbi fuqizimin e grave në industrinë e filmit, në Taormina.

“Michael Douglas është shumë më tepër sesa një yll. Ai është një gur themeli i kinemasë moderne”, tha Knobloch.

“Gjatë më shumë se pesë dekadave, ai ka zgjedhur vazhdimisht role që pasqyrojnë kompleksitetin e natyrës njerëzore. Michael na ka dhënë performanca të paharrueshme dhe gjithmonë të guximshme”, shtoi ajo.

Në një fjalim prekës, Douglas kujtoi lidhjet e tij me komunitetin italian të filmit, duke treguar se kur udhëtoi në Romë 50 vjet më parë për të promovuar “One Flew Over the Cuckoo’s Nest”, kishte kaluar një mbrëmje të mrekullueshme me të gjithë regjisorët më të mirë italianë të asaj kohe, Michelangelo Antonioni, Lina Wertmüller dhe Bernardo Bertolucci, ndër të tjerë.

“Dhembshuria dhe vlerësimi i tyre për filmin ishte unik; nuk kishte xhelozi”, theksoi Douglas.

“Ishte tamam si të ishe në një familje të madhe, dhe ishte shumë, shumë e veçantë”, tha ai.

Douglas gjithashtu kujtoi fillimin e karrierës së tij në “Cinecittà Studios” të Romës me babanë e tij Kirk, duke bërë një film kur ishte 16 vjeç.

“Jam i prekur tani kur e kuptoj se unë dhe babai im kemi bërë mbi 150 filma në harkun kohor të 80 viteve”, tha Douglas. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›