E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – SHBA-ja dënon sanksionet e qeverisë britanike ndaj ministrave izraelitë

LONDËR, 11 qershor /ATSH/- SHBA-ja ka dënuar vendimin e qeverisë britanike, së bashku me Kanadanë, Norvegjinë, Zelandën e Re dhe Australinë, për të sanksionuar dy ministra të kabinetit izraelit të ekstremit të djathtë, tha sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sipas “Reuters”.

Vendet vendosën sanksione ndaj ministrave të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke i akuzuar ata për nxitje të përsëritur të dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor.

“Këto sanksione nuk i çojnë përpara përpjekjet e udhëhequra nga SHBA-ja për të arritur një armëpushim, për të sjellë të gjithë pengjet në shtëpi dhe për t’i dhënë fund luftës”, tha Rubio në një postim në X.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë anulimin e sanksioneve dhe qëndrojnë krah për krah me Izraelin”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm britanik, David Lammy tha se dy ministrave izraelitë do t’u ndalohej hyrja në Britaninë e Madhe dhe do t’u ngriheshin të gjitha asetet në BM për shkak të nxitjeve të përsëritura të dhunës kundër komuniteteve palestineze.

Ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee tha se masa ishte e papërshtatshme dhe tha se SHBA-ja do të reagonte në mënyrë të përshtatshme ndaj asaj që ai e përshkroi si një tejkalim i jashtëzakonshëm i kufirit.

Smotrich dhe Ben-Gvir i përkasin dy partive të krahut të djathtë të cilat ndihmojnë në koalicionin qeveritar të Netanyahut.

Të dy ministrat janë kritikuar për qëndrimin e tyre të ashpër ndaj luftës në Gazë.

Smotrich ka bërë fushatë kundër lejimit të ndihmës në Gazë, ndërsa Ben-Gvir ka bërë thirrje që populli i Gazës të zhvendoset nga territori. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›