KLP: Ankesa për rastin e publikuar në media i është dërguar Prokurorisë së Tiranës

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) reagoi sot në një deklaratë për mediet, pas përmbajtjes së transmetuar gjatë emisionit investigativ “Stop” të ditës së hënë.
Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.
Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.
KLP informon se “në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës”.
Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.
/e.i/a.f/r.e/