E Diel, 1 Nëntor 2026

KLP reagon pas emisionit investigativ, nis verifikimi i çështjes

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka reaguar pas përmbajtjes së transmetuar në një emision investigativ më 23 mars 2026, duke shprehur shqetësimin për situatën e paraqitur.

Në një njoftim zyrtar, KLP bën me dije se ankesa e depozituar nga një qytetare i është përcjellë për shqyrtim Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në përputhje me të gjitha parashikimet ligjore në fuqi.

Njoftimi i plotë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka ndjekur me shqetësim përmbajtjen e transmetuar gjatë një emisionit investigativ, ditën e hënë, datë 23.03.2026.

Në kuadër të transparencës institucionale, KLP informon se ankesa e depozituar nga qytetarja i është përcjellë për trajtim dhe kompetencë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, sipas të gjitha parashikimeve ligjore.

Lidhur me çështjet etike dhe disiplinore që përfshijnë anëtarët e Këshillit, neni 104, i ligjit nr. 115/2016, “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, parashikon se çdo pretendim për shkelje disiplinore ndaj anëtarëve të KLP-së i nënshtrohet kompetencës ekskluzive të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe më tej Gjykatës Kushtetuese.

Në interes të informimit të drejtë të opinionit publik dhe medias, theksojmë se çështja është duke u verifikuar plotësisht nga institucionet kompetente, për zbardhjen e së vërtetës. Ndaj, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha institucionet, me qëllim trajtimin e kësaj çështjeje në mënyrë objektive, të paanshme dhe në përputhje me ligjin.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë garanton se përtej situatave të caktuara, do të vijojë përpjekjet për të ruajtur integritetin institucional në përmbushjen e standardeve të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksioneve publike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›