E Diel, 1 Nëntor 2026

NAPOLI – Vendimi i gjykatës pas vdekjes së 15-vjeçarit nga konsumi i sushit shkakton pakënaqësi

NAPOLI, 3 dhjetor /ATSH/ – Një gjykatë e qytetit të Napolit dënoi pronarin e një restoranti ku, sipas prokurorisë, kishte ndodhur helmimi që çoi në vdekjen e 15-vjeçarit Luca Piscopo, shkruan tgcom24.it.

Gjykata dënoi pronarin e restorantit me dy vjet e gjashtë muaj burg dhe liroi nga akuzat mjekun që e trajtoi.

Djali vdiq më 2 dhjetor 2021, nëntë ditë pasi kishte ngrënë sushi në një restorant në Vomero. Vendimi u kundërshtua me forcë nga familja dhe miqtë, veçanërisht nga nëna e viktimës.

“Restoratori ishte një bandit i paskrupullt, por ajo që më zemëroi ishte lirimi nga akuzat i mjekut, brenda 10 ditësh, djali im humbi më shumë se 10 kilogramë dhe ai nuk më telefonoi asnjëherë për të pyetur se si ishte djali”, deklaroi nëna e tij.

Sipas rindërtimit të çështjes nga Prokuroria e Napolit, Luca Piscopo u sëmur me salmonelë pasi kishte ngrënë sushi në restorantin Vomero me disa miq.

Infeksioni, sipas prokurorisë, ‘’shkaktoi miokardit, i cili më vonë rezultoi fatal’’.

Prokurorja Federica Amodio kishte kërkuar një dënim me tre vjet burg për pronarin e restorantit dhe një vit e tetë muaj për mjekun që trajtoi djalin.

Sipas prokurores, Luca mund të ishte shpëtuar nëse do të kishte marrë trajtim në kohë.  /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›