E Martë, 3 Nëntor 2026

KOMENT – Si do të mund t’u përgjigjet Irani sulmeve amerikane?

PARIS, 22 qershor /ATSH-AFP/ – Pas sulmeve të SHBA-së kundër lokacioneve bërthamore iraniane, përfshirjes së drejtpërdrejtë të Uashingtonit në luftën midis Izraelit dhe Teheranit, lindin dy pyetje.

1 – Sa efektive do të jenë këto bombardime?

2 – Si do të përgjigjet Irani?

Duke lavdëruar një “sukses spektakolar ushtarak”, presidenti amerikan, Donald Trump siguroi se “objektet kryesore të pasurimit bërthamor të Iranit janë shkatërruar plotësisht dhe totalisht”.

“Ata kanë kaluar një vijë të kuqe të madhe”, u kundërpërgjigj diplomacia iraniane.

Deri më tani është zbuluar pak rreth përgjigjes së premtuar të Iranit.

Shtetet e Bashkuara shënjestruan tre lokacione bërthamore, përfshirë Fordon, një strukturë pasurimi uraniumi, 90 metra nën një mal.

Pak informacion është zbuluar në lidhje me shkallën e dëmit, me disa ekspertë që besojnë se materiali bërthamor ishte zhvendosur para sulmit.

“Normalisht, sulme të tilla janë efektive, por imazhet satelitore kanë qarkulluar, duke treguar lëvizjet në rrjedhën e sipërme rreth vendit të Fordos”, tha Heloise Fayet, një specialiste bërthamore në Institutin Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (IFRI).

“Prandaj, një pjesë e rezervave të uraniumit të pasuruar mund të jetë transferuar në vende që nuk monitorohen nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike”, shtoi ajo.

Ajo thekson se para luftës, inspektimet e IAEA-s ofruan njohuri “edhe pse të papërsosura” të programit iranian.

“Tani nuk janë të mundura më inspektime,” thotë ajo, duke shtuar se “njohuritë teknike” të Iranit nuk mund të shkatërroheshin sepse “mijëra njerëz morën pjesë në programin bërthamor iranian”.

Andreas Krieg i ”King’s College London” e quan veprimin e SHBA-së një “operacion me rrezik të lartë me rezultate të paparashikueshme”.

Për Ali Vaez të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, shkatërrimi i Fordos “nuk do të thotë domosdoshmërisht t’i japë fund programit bërthamor të Iranit”.

“Në vitet e fundit, Teherani ka prodhuar qindra centrifuga të përparuara, të ruajtura në vende të panjohura”, thekson ai.

Çfarë përgjigje mund të presim nga Irani?

Përballë Uashingtonit, Krieg parashikon “një përgjigje të kalibruar, mjaftueshëm të fortë për të pasur ndikim, por mjaftueshëm të matur për të përmbajtur” konfliktin.

Eksperti izraelit i gjeopolitikës Michael Horowitz rendit mundësitë: sulmimin e interesave amerikane, mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, jetike për tregtinë globale të naftës, dhe synimin e objekteve energjetike të vendeve të Gjirit, të cilat strehojnë disa baza ushtarake amerikane.

“Asnjë nga këto opsione nuk është vërtet efektive, ka të bëjë kryesisht me pamjen e  jashtme,” shkruan ai në X.

“Megjithatë, rreziqet janë të konsiderueshme”, thekson ai.

Ai nuk përjashton hakmarrje të kufizuar kundër Shteteve të Bashkuara, pastaj sulme të tjera kundër Izraelit përpara se të fillojë përfundimisht një rikthim në negociata.

Për Renad Mansour të organizatës kërkimore ”Chatham House”, qeveria iraniane ka hyrë në “modalitetin e mbijetesës” përballë Izraelit dhe Uashingtonit, një situatë që të kujton luftën e viteve 1980-1988 kundër Irakut.

Pa përjashtuar “një konflikt të zgjatur, të gjatë dhe shumë të përgjakshëm”, ai gjithashtu sugjeron një “shpërshkallëzim të kontrolluar”, llojin që Trump shpreson duke u përpjekur ta detyrojë Iranin të negociojë.

“Por, Republika Islamike ndihet e poshtëruar edhe një herë dhe beson se Shtetet e Bashkuara nuk po negociojnë me mirëbesim”, thekson ai.

Hamidreza Azizi i Institutit Gjerman për Çështje Ndërkombëtare dhe të Sigurisë nuk përjashton mundësinë që Irani t’i japë Trumpit “një fitore simbolike” dhe ta drejtojë zemërimin e tij ndaj Izraelit.

“Kjo e mban Uashingtonin jashtë luftës, ndërkohë që intensifikon presionin mbi Tel Avivin. Rreziku i përfshirjes së mëtejshme të SHBA-së do të binte mbi Trumpin”, shkruan ai në X.

Kështu, nëse presidenti amerikan do të vazhdonte të godiste Iranin “pa provokime të mëtejshme”, kjo do të dukej më shumë si “një luftë për përfitimin e Izraelit”, shpjegon ai, diçka “politikisht e kushtueshme, duke pasur parasysh opozitën” mbi këtë temë në Shtetet e Bashkuara.

Sa i përket Iranit, ai mund të pretendojë se nuk e di për atë që ndodhi me uraniumin e pasuruar, të shmangë inspektimet e IAEA-s, përpara se të largohet nga Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore.

Ndërsa Trump mund të gëzohet për një “fitore taktike”, ekziston rreziku që Irani t’i hedhë atij një “granatë politike”, shkruan Azizi.

”Mjaftueshëm për ta zhvendosur ‘lojën’ bërthamore në një territor më të errët dhe më të rrezikshëm”, thekson ai./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›