E Diel, 1 Nëntor 2026

KOMENT – Sulme me dronë dhe raketa në disa vende të Lindjes së Mesme ndërsa lufta Iran-Izrael përshkallëzohet

TEHERAN/ KAJRO, 5 mars /ATSH-DPA/- Dhjetëra dronë dhe raketa goditën sot vendet e Gjirit Persik, duke treguar se Irani ruan ende një fuqi të konsiderueshme goditëse pothuajse një javë pasi Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nisën luftën kundër Republikës Islamike.

Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë kapur gjashtë raketa balistike, ndërsa njëra prej tyre ka rënë në territorin e vendit.

Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se janë zbuluar gjithsej 131 dronë, shumica e të cilëve u neutralizuan nga mbrojtja ajrore. Besohet se raketat dhe dronët janë lëshuar nga Irani.

Në kryeqytetin Abu Dabi, gjashtë persona u plagosën nga mbeturinat që ranë gjatë ndërhyrjes së sistemeve mbrojtëse kundër dronëve, sipas zyrës së mediave të qytetit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Emirateve, që nga shpërthimi i luftës të shtunën janë interceptuar më shumë se 1 000 dronë dhe rreth 200 raketa janë lëshuar drejt territorit të vendit.

Edhe Katari raportoi sulme. Ministria e Mbrojtjes e Katarit tha se 13 nga 14 raketat e lëshuara drejt territorit të saj u interceptuan nga mbrojtja ajrore, ndërsa një tjetër ra në det. Po ashtu u rrëzuan katër dronë iranianë. Shpërthime u dëgjuan sërish në kryeqytetin Doha.

Ambasada amerikane në Katar njoftoi se Ministria e Brendshme kishte urdhëruar evakuimin e banorëve pranë ndërtesës së ambasadës.

Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se ka pezulluar aktivitetet në një nga qendrat e saj më të mëdha logjistike për operacionet globale të emergjencës për shkak të situatës së sigurisë në rajon. Objekti ndodhet në Dubai, ku janë ndërprerë të gjitha aktivitetet.

Sulme edhe në Irak dhe Azerbajxhan

Forcat e armatosura iraniane deklaruan gjithashtu se kanë goditur objektiva në Irak.

Radioja shtetërore iraniane raportoi se një bazë amerikane në Erbil, kryeqyteti i rajonit autonom të Kurdistanit, u sulmua me dron, duke shkaktuar “dëme të konsiderueshme”, megjithëse kjo nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.

Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit, një sulm i dyshuar me dron iranian goditi territorin e AzerbajxhanIT.

Agjencia shtetërore AZERTAC raportoi se dronët goditën aeroportin dhe një zonë pranë një shkolle në Nakhchivan, një enklavë autonome e vendit. Irani ka mohuar përgjegjësinë për këtë sulm.

Teherani hodhi poshtë gjithashtu akuzat se kishte lëshuar një raketë balistike drejt Turqisë, anëtare e NATO, duke i cilësuar pretendimet si “të pavërteta”.

Izraeli vazhdon bombardimet në Iran

Ndërkohë, forcat ajrore të Izraelit përfunduan valën e 12-të të sulmeve ndaj objektivave iraniane.

Sipas një zëdhënësi ushtarak, sulmet goditën objektiva në Teheran dhe selinë e një njësie speciale të forcave të sigurisë iraniane në provincën Alborz, në perëndim të kryeqytetit.

Në mesin e objektivave ishin edhe objekte të Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike, përfshirë dhjetëra qendra komanduese, depo armësh dhe fabrika të prodhimit të armëve.

Ministria iraniane e Mbrojtjes ka urdhëruar prodhuesit kryesorë të armëve në vend të përshpejtojnë prodhimin e sistemeve të armëve sulmuese dhe mbrojtëse.

Media iraniane raportoi se që nga fillimi i luftës janë raportuar të paktën 1 230 të vrarë, përfshirë civilë dhe ushtarakë, megjithëse kjo shifër nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

Gjysmëhëna e Kuqe tha se 105 objekte civile janë dëmtuar rëndë që nga fillimi i luftimeve.

Raketat iraniane godasin Izraelin

Ushtria izraelite bëri të ditur se Irani lëshoi një tjetër valë raketash drejt territorit izraelit sot pasdite.

Sirenat e alarmit u dëgjuan në shumë zona të vendit dhe banorët e Tel Avivit raportuan shpërthime.

Sipas Gardës Revolucionare Islamike, drejt Izraelit u lëshuan katër raketa të avancuara “Khorramshahr-4” që synonin zonën qendrore të Tel Avivit.

Televizioni izraelit N12 raportoi se një aeroplan pasagjerësh izraelit, i cili po i afrohej aeroportit të Tel Avivit për t’u ulur, u detyrua të ndërpresë manovrën për shkak të sulmeve me raketa. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›