KOMENT – Trauma e luftës po shtyn më shumë ukrainas të bëhen artistë

KIEV, 3 qershor /ATSH-AFP/ – Për vite me radhë, artistja ukrainase 36-vjeçare Olena Kharakhulakh e kishte lënë pas dore artin, duke zgjedhur një punë të qëndrueshme si dizajnuese objektesh prej qelqi për një kompani.
Gjithçka ndryshoi kur një raketë ruse goditi një pallat banimi vetëm 300 metra larg shtëpisë së saj në Ukrainën lindore, duke vrarë 45 persona.
Me lot në sy teksa kujtonte sulmin, ajo tha se pikërisht atëherë vendosi t’i përkushtohej artit me kohë të plotë.
“E kuptova se nuk do të ekzistonte kurrë një moment i përshtatshëm dhe se duhet të bësh atë që dëshiron tani”, tha Kharakhulakh, një nga shumë artistët ukrainas për të cilët pushtimi rus shënoi një pikë kthese.
“Për t’u rilindur, duhet të heqim dorë nga diçka, jo fjalë për fjalë, jo fizikisht, por duhet të shkatërrojmë ose madje të vrasim diçka brenda vetes”, tha ajo në galerinë e artit Lavra në Kiev.
Kolazhet e saj më të fundit, pjesë e edicionit të dytë të Panairit të Artit të Kievit, paraqesin statuja klasike me fytyra të prera, tehe të mprehta dhe re tymi kërcënuese. një pasqyrim i transformimit të saj personal.
Një mënyrë për të rindërtuar veten
Një tjetër artiste, Vlada Lobus, veprat e së cilës u ekspozuan gjithashtu në panair, u detyrua të largohej nga qyteti i Dnipros dhe të kërkonte strehim në Poloni.
E diplomuar në ekonomi politike, ajo iu kthye pikturës dhe më pas fotografisë analoge për të përballuar traumën e luftës dhe shpërnguljes.
Në një autoportret, ajo bashkon fotografi të vetes të realizuara me teknikën cianotip në një rend të çrregullt, një sy, duar, një bërryl dhe format e buta të trupit.
“Pas një ngjarjeje traumatike ndryshon mënyra si e perceptojmë botën; ne shpërbëhemi dhe rindërtohemi”, tha ajo në kuadër të panairit.
Tashmë në vitin e pestë, lufta ka vrarë qindra mijëra njerëz dhe ka detyruar miliona të largohen nga shtëpitë e tyre. Autoritetet ukrainase thonë se të paktën 346 artistë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë.
Megjithatë, sipas Anna Avetova, drejtoreshë e “Art Kyiv”, lufta nuk e ka ndalur skenën artistike të Ukrainës. Përkundrazi, ajo e ka vendosur vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke i bërë artistët dhe galeritë ukrainase më të njohura jashtë vendit.
Avetova theksoi se pushtimi rus nuk është më gjithmonë tema kryesore e artit ukrainas, por mbetet një narrativë e përbashkët që përshkon pothuajse çdo projekt dhe vepër të re.
Një “letër dashurie” për Kievin
Në një nga muret e galerisë Lavra është ekspozuar një kolazh i artistes Iuliia Shulga, pjesë e një serie që ajo e quan një “letër dashurie” për qytetin e saj të lindjes, Kievin.
Vepra paraqet “Hotel Salute”, të njohur për arkitekturën e tij karakteristike sovjetike, që ngrihet mbi një shkëmb koralor në një sfond rozë të ndezur. Në çatinë e hotelit qëndron një astronaut, ndërsa hëna është zëvendësuar nga një top diskoteke.
Sipas saj, hoteli i kujton shëtitjet e fëmijërisë me të atin në parkun aty pranë.
Shulga punon në burimet njerëzore dhe nuk ka arsimim formal në art. Ajo filloi të krijonte kolazhe disa muaj pas nisjes së pushtimit rus, si një mënyrë për të “ngjitur” sërish botën e saj të copëtuar.
Që atëherë, jeta e saj është ndarë mes Britanisë së Madhe dhe Ukrainës, mes artit dhe profesionit të saj.
“Kolazhi është një medium i sinqertë për realitetin tonë. Ai pasqyron fragmentimin e jetës,” tha ajo. “Po përpiqemi të rindërtojmë veten nga copëzat e thyera”.
Veprat e saj janë ekspozuar deri në Japoni dhe janë bërë një mënyrë për të komunikuar me botën.
Arti si mënyrë për të mbijetuar
Për Irina Cheremisina, prioriteti mbetet ekspozimi i veprave të saj në Ukrainë.
Në vitin 2014, forcat separatiste të mbështetura nga Moska morën kontrollin e një pjese të Ukrainës lindore, përfshirë qytetin e saj të lindjes, Donetskun. Ajo u zhvendos në Kiev me familjen dhe më pas u largua për në Spanjë në vitin 2022 për të mbrojtur fëmijët.
E rritur me idenë se arti nuk ishte një profesion “i respektueshëm”, ajo kishte punuar në tregtinë ndërkombëtare, ndërsa krijimtaria e saj konsiderohej vetëm një hobi.
“Gjithçka ndryshoi në vitin 2022. Humba babanë, punën dhe shtëpinë për shkak të luftës”, tha ajo.
Shtëpia e saj në Ukrainë, sipas saj, u shkatërrua dhe u dogj plotësisht.
“Vetëm fotografia më ndihmoi të mbijetoj humbjen dhe pikëllimin”.
Tani 45 vjeçe, ajo i është përkushtuar artit dhe disa nga veprat e saj janë përzgjedhur për “Art Kyiv”.
Në autoportretet e saj ajo përdor prerje letre, kolazh dhe qëndisje, duke krijuar vepra me tekstura dhe shtresa të shumta.
“Njerëzit mund t’i shohin teksturat, shtresat dhe të ndiejnë praninë e duarve të mia,” tha ajo.
Megjithëse veprat e saj janë ekspozuar në vende të ndryshme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara t[ Amerikës. Francën dhe Spanjën, vendi më i rëndësishëm për të mbetet Ukraina.
“Është e rëndësishme për mua të lë një pjesë të vetes në Ukrainën”. tha ajo.
“Është mënyra ime për t’u thënë njerëzve të mbijetojnë”. /Ad.Ab./