E Hënë, 2 Nëntor 2026

KOPENHAGË – Eide: Në Gaza rrezikohet besueshmëria e Perëndimit

KOPENHAGË, 30 gusht /ATSH-ANSA/ – Nëse duam besueshmëri në denoncimin tonë ndaj Rusisë në Ukrainë, duhet të kundërshtojmë mizoritë e mëdha të kryera nga Izraeli në Gaza, gjatë luftës, por edhe në pushtimin e paligjshëm të Palestinës, përfshirë Bregun Perëndimor, tha sot ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide pas mbërritjes së tij në takimin jozyrtar të ministrave të Jashtëm evropianë në Kopenhagë.

Barth Eide theksoi rëndësinë e mbështetjes së përpjekjeve për të ndërtuar një shtet palestinez dhe për të lejuar hyrjen e ndihmës humanitare.

“Fjalët nuk kanë qenë të mjaftueshme për të ndryshuar qasjen e tyre dhe ne duhet të vendosim sanksione ekonomike. Ne gjithashtu nxisim Shtetet e Bashkuara të japin viza për delegacionin palestinez në Kombet e Bashkuara”, shtoi ai.

”Evropa është e ndarë se si ta adresojë situatën në Gaza, por shpresoj që takimi i sotëm në Kopenhagë do të çojë në një marrëveshje. Mendoj se është një turp i madh që nuk kemi të njëjtin unitet në mbështetjen e Palestinës dhe kritikat ndaj Izraelit, siç kemi në mbështetjen e Ukrainës dhe kritikat ndaj Rusisë”, theksoi Eide.

”Është e qartë se këto janë dy raste të ndryshme, por të dyja janë shembuj seriozë të mosrespektimit të ligjit ndërkombëtar dhe të drejtave të njeriut. Nëse duam të kemi ndonjë besueshmëri në Jugun Global, ku jeton shumica e popullsisë së botës, duhet të tregojmë se jemi konsistentë në qëndrimin tonë kundër abuzimeve ruse dhe izraelite”, theksoi ai./  a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›