KOPENHAGË – Kallas: Putini po tallet me përpjekjet për paqe në Ukrainë

KOPENHAGË, 29 gusht /ATSH-DPA/ – Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, dënoi ashpër një valë sulmesh të rënda ajrore mbi Kievin, ku humbën jetën mbi një duzinë njerëzish, mes tyre edhe fëmijë, dhe bëri thirrje për sanksione të reja ndaj Moskës.
“Këto sulme tregojnë se Putini po tallet me çdo lloj përpjekjeje që bëhet për paqe”, tha Kallas, teksa mbërriti në një takim dyditor të ministrave të mbrojtjes dhe punëve të jashtme të BE-së në Kopenhagë.
“Ajo që duhet të bëjmë është të rrisim presionin ndaj Rusisë,” shtoi ajo, duke theksuar se sanksionet e reja mbi eksportet e energjisë dhe shërbimet financiare ruse “do t’i dëmtojnë më shumë”.
Përveç masave ndëshkuese ndaj Rusisë, Kallas u bëri thirrje vendeve të BE-së të vazhdojnë furnizimin e Kievit me armë.
“Ukrainës i nevojitet tani e gjithë mbështetja ushtarake”, tha ajo.
Ministrat e mbledhur në kryeqytetin danez do të diskutojnë gjithashtu garancitë e sigurisë për Ukrainën pas përfundimit të luftës.
Sipas Kallas, BE-ja mund të mbështesë Kievin duke vazhduar trajnimin e ushtrisë ukrainase dhe duke forcuar industrinë e mbrojtjes së vendit, përveç angazhimeve të vendeve anëtare individuale.
Megjithatë, ajo pranoi se dita pas luftës “nuk është afër, nëse shohim çfarë po bën Putini”. /Ad.Ab./