KQZ, masa për mbrojtjen e votës së personave me aftësi të kufizuara

TIRANË, 21 shtator /ATSH/ KQZ mori pjesë në Forumin “Parandalimi i Korrupsionit Zgjedhor dhe Mbrojtja e të Drejtës së Votës për Personat me Aftësi të Kufizuara”, ku u prezantuan masat e ndërmarra për rritjen e aksesueshmërisë dhe pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara në procesin zgjedhor.
Gjatë diskutimeve u trajtuan barrierat që ndikojnë në ushtrimin e së drejtës së votës, rreziqet e korrupsionit zgjedhor, si dhe mekanizmat për parandalimin dhe raportimin e parregullsive. Pjesëmarrësit ndanë përvoja dhe praktika që synojnë garantimin e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe me integritet.
Në Forum u prezantuan gjithashtu gjetjet e një studimi mbi aksesueshmërinë dhe rreziqet e korrupsionit në pjesëmarrjen zgjedhore të personave me aftësi të kufizuara, së bashku me rekomandimet për përmirësimin e kuadrit institucional dhe praktikave zgjedhore.
Në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet vendore 2027, ky forum shërbeu si një platformë e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe identifikimin e masave konkrete që kontribuojnë në një proces zgjedhor më të aksesueshëm, transparent dhe gjithëpërfshirës për të gjithë qytetarët.
/m.q/j.p/