E Diel, 1 Nëntor 2026

Kaka del hapur: Milani duhet të rinohet!

 

Ylli i kuqezinjve ka folur nga Brazili, ku po kalon pushimet dhe po riaftësohet pas operacionit në gju

Zotëria 100-milionësh (pak a shumë), pasi mësoi gjithçka, ia krisi së qeshurës. "Sigurisht që isha në dijeni për ofertën e Çelsit; në kuptimin që jam gjithnjë i azhornuar me lajmet e faqeve italiane të internetit." Nga Milani nuk i ka telefonuar askush për ta njoftuar për ofertën fantastiko-shkencore të Çelsit, që u refuzua nga kuqezinjtë, sepse gjithë ato parà nuk ishin të nevojshme. "Po merkatoja e ekipit tonë, do të zhbllokohet, apo jo?" Kakaja dëshiron të dijë se si po shkojnë gjërat, sepse edhe pak dhe i përfundojnë pushimet (do të kthehet në Milano më datë 19), por ai e ka gjithnjë në mendje Milanin. "Djali im do të marrë shtetësinë e dyfishtë, ashtu sikurse unë dhe Karolina, ndaj do të rritet në Itali. Emrin e ka gjithashtu italian," - tha ai, gjatë një interviste të gjatë për sajtin ig.com.bra, në seksionin e sportit. Luka sapo ka lindur dhe duket se është një aleat i fuqishëm i Milanit, por edhe një rival për skuadrat e tjera, sepse mund ta bëjë edhe më të fortë Kakanë.

Figurat - "Nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë, mbase një ditë mund të mos ndihem më i kënaqur, ose edhe vetë Milani mund të mos jetë i kënaqur nga unë. Por kjo nuk është ajo që po ndodh tani. Unë jam mirë te Milani, e adhuroj Italinë dhe dua të bëhem ikonë e klubit, si Paolo Maldini. E ndiej se jam që tani pikë referimi për skuadrën, por të bëhesh kapiten është diçka tjetër, si dhe shpresoj t'ia arrij qëllimit. Shembujt e mi janë Paolo dhe Roxherio Ceni, të cilët kanë luajtur një jetë në të njëjtin klub. Nuk është e lehtë të jesh si ata," - vijoi më tej Kakaja për sajtin.

Paqja - I ndarë midis orëve, kushtuar familjes dhe atyre të fizioterapisë, që janë të nevojshme pas operimit në gju ("Shkoj në klinikë në 8 të mëngjesit dhe dal prej andej në 5 pasdite, por ky gju më bëri të vuaj shumë vite, ndaj u operova që ta heq këtë problem"), Kakaja e ka ndjekur Europianin si dhe ndeshjet e kombëtares së tij dhe ka lëshuar një sinjal qetësues për Dungën. "Nuk ka thënë se unë dhe Ronaldinjo nuk i duhemi, ka thënë se në një kombëtare nuk ka lojtarë, pa të cilët nuk mund të bëhet, dhe dha shembullin e Pelesë, që edhe unë jam dakord me të. Kombëtarja është kombëtare, mua më pëlqen të luaj për vendin tim dhe, nëse do ta takoj Dungën këto ditë, do t'i them të vazhdojë të ketë gjithnjë besim tek unë."

Rinovimi - Ajo që ka rëndësi hëpërhë është ta marrë veten, në mënyrë që të jetë i gatshëm për Brazilin dhe për Milanin. "Milani ka nevojë të rinohet. Këtë ua kam thënë edhe drejtuesve kur më kanë pyetur, sepse në këtë mënyrë mund të përcillet nga lojtarët me përvojë te të rinjtë mendësia fituese, që është forca e klubit tonë. Pato, i cili mbërriti i ri, mund ta mësojë këtë kulturë, ashtu sikurse bëra edhe unë. Përvoja ka shumë rëndësi për të pasur sukses në futboll, por receta e duhur është një përzierje pjekurie dhe rinie. Milani e ka kuptuar. Drejtuesit e dinë se janë pak me vonesë, por tani janë duke punuar për rifreskimin e nevojshëm."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›