E Diel, 1 Nëntor 2026

Kamionët e bllokuar në Qafë Thanë kalojnë në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, Maqedoni e Veriut

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se prej orës 10.00, të ditës së sotme, kanë lejuar lëvizjen e mjeteve të tonazhit të rëndë (kamionë) për në Pikën e Kalimit Kufitar Bllatë, në territorin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimit për shtyp të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë kamionët do të lejohen me të njëjtën tranzit dhe dokumentacion, gjithashtu edhe ato mjete që janë zhdoganuar do të lejohen të kalojnë dhe në rast se kanë të dëmtuar plumbosjen, do të ripajisen me të reja.

Prej 4 ditësh kamionët e tonazheve të rënda ishin të bllokuar në pikën kufitare të Qafë Thanës si pasojë e bllokimit të aksit Librazhd-Përrenjas si pasojë e rrëshqitjes së dherave.

Ndërkohë, që kamionët që hyjnë nga pika e Kapshticës, rruga alternative e përdorur është Korçë – Ersekë – Leskovik – Përmet e më pas drejt destinacioneve të tyre finale.

Automjetet e vogla dhe të lehta vazhdojnë të qarkullojnë normalisht në aksin Maliq – Moglicë – Gramsh – Elbasan.

Policia Rrugore ka shtuar ndjeshëm patrullat dhe praninë në të dy akset kryesore alternative, ku fluksi i lëvizjeve është rritur ndjeshëm ditët e fundit.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›