E Diel, 1 Nëntor 2026

Beja pret ekipin e BB për projektin e Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit

TIRANË, 25 shkurt/ATSH/ Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, priti sot ekipin e Bankës Botërore, në kuadër të misionit përgatitor të projektit “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project (TTFP) 2.0”, një nismë rajonale që synon përmirësimin e lehtësimit të tregtisë dhe transportit në Ballkanin Perëndimor.

Në fokus të takimit ishte modernizimi i shërbimeve doganore dhe përmirësimi i menaxhimit kufitar, me synimin për të përputhur praktikat doganore shqiptare me standardet më të mira ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Europian.

Beja vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me Bankën Botërore dhe theksoi rëndësinë e fazës së dytë të projektit për avancimin e reformave në Administratën Doganore Shqiptare.

Gjatë diskutimeve, palët u ndalën në rezultatet e arritura deri më tani, si dhe në hapat e ardhshëm që do të ndërmerren në kuadër të projektit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit, TTFP 2.0 dhe programeve të lidhura me të.

Gjithashtu u diskutuan investimet prioritare që pritet të realizohen, përmirësimi i sistemeve dhe proceseve të Administratës Doganore, ngritja e kapaciteteve për kontrolle më të shpejta dhe efikase kufitare, rritja e shkëmbimit të të dhënave ndërmjet institucioneve, si dhe modernizimi i infrastrukturës dhe teknologjisë në dispozicion të doganave.

Projekti “Western Balkans Trade and Transport Facilitation Project 2.0” është një program rajonal i mbështetur nga Banka Botërore, i cili synon të përmirësojë transportin dhe të lehtësojë lëvizjen e mallrave. Faza e dytë e këtij programi ndërtohet mbi arritjet e fazës së parë dhe ka si objektiv thellimin e reformave për harmonizimin e procedurave doganore, reduktimin e kohës dhe kostove në kufi, si dhe përmirësimin e transparencës dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave e konsideron këtë proces një mundësi të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve institucionale, për përshpejtimin e reformave dhe për përmirësimin e mëtejshëm të menaxhimit kufitar dhe lehtësimit të tregtisë në vend, në funksion të rritjes së konkurrueshmërisë dhe integrimit europian.

1 nga 4

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›