E Diel, 1 Nëntor 2026

Kampionati i Shahut në Elbasan, nismë që edukon dhe formon fëmijët

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Kampionati i Përvitshëm i Shahut për nxënësit e shkollave 9-vjeçare në Elbasan tashmë është kthyer në traditë dhe që synon të nxisë zhvillimin intelektual dhe kulturën sportive te fëmijët.

Ky kampionat u zhvillua në ambientet e Qendrës Kulturore të Fëmijëve (QKF) në Elbasan, ku fitues të këtij edicioni u shpallën Erdet Alla nga shkolla “Sule Harri” dhe Arsa Çekani nga shkolla “Jorgji Dilo”, të cilët u dalluan për përqendrimin, strategjinë dhe aftësitë e tyre logjike.

Organizatorët i uruan kampionët për suksesin dhe i inkurajuan të vijojnë rrugën e sportit të mendjes.

Këtë vit, kursi i shahut është përfshirë si pjesë e rregullt e kurseve që QKF ofron, pas kërkesave të shumta nga nxënësit dhe prindërit. Pjesëmarrja e lartë në kampionat dëshmon interesin gjithnjë e në rritje të fëmijëve për aktivitete që zhvillojnë mendimin kritik, përqendrimin dhe disiplinën.

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Elbasan ofron një sërë kursesh artistike, kulturore dhe sportive, me qëllim edukimin, argëtimin cilësor dhe largimin e fëmijëve nga përdorimi i tepruar i mjeteve teknologjike. Kjo qendër përbën një shembull pozitiv të investimit në formimin e brezit të ri, duke krijuar hapësira ku talenti dhe vlerat edukative kultivohen çdo ditë.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›