Kanceri i gjirit, vështirësitë në zona rurale për të ndjekur terapitë dhe trajtimet

Prej nëntë vitesh, 62-vjeçarja Lezina Kola, nga fshati Vukël i Malësisë së Madhe, po lufton me kancerin e gjirit. Për shkak të pamundësive financiare të familjes, për disa vite nuk i tregoi askujt për anomalinë që kishte vërejtur në gjirin e saj.
Vetëm pasi e bija mësoi për gjendjen e saj, nisi vizitat dhe kimioterapitë për stadin e katërt që kishte arritur kanceri. 62-vjeçarja tregon lodhjen jo vetëm prej sëmundjes, por edhe pamundësinë e sigurimit të parave borxh për të vijuar trajtimin.
Përmes projektit Scidev dhe Bashkimit Europian, i cili synon fuqizimin e zërave të nënpërfaqësuar në zonat rurale të Shkodrës, 62-vjeçarja e prekur nga kanceri kërkon mbështetje nga strukturat përgjegjëse, pasi vizitat, analizat, siç thotë ajo, nuk janë falas. Ndërsa kosto më vete është udhëtimi i vështirë, gati tre orë, nga fshati i thellë i Vukëlit drejt Shkodrës e më pas Tiranës.
Lezina nuk është e vetmja grua në zonat e thella rurale që shërbimin shëndetësor, edhe gjatë Tetorit Rozë, nuk e arrin dot jo vetëm për shkak të distancave të largëta, por dhe pamundësisë ekonomike për të ndjekur vizitat dhe mjekimet. (A2 Televizion)