Kandidat për Bashkinë e Tiranës? Ja çfarë thotë Erion Braçe

“Kur të kemi të reja do ua them!”
Këtë përgjigje u dha deputeti socialist Erion Braçe gazetarëve të cilët e pyetën në lidhje me vetëofrimin që ai ka bërë për të qenë kandidat i PS në zgjedhjet për bashkinë e Tiranës.
Në një deklaratë për mediat para se të hynte në sallën plenare, Braçe deklaroi se: “Gjërat që thuhen në shtëpi mbeten aty. Unë kam folur brenda Asamblesë së PS në njësinë 5”.
Ndërsa për kërkesës që ai i ka bërë KQZ-së ku kërkon rezultatet e tij në vota, që prej zgjedhjeve të vitit 1996, Braçe u përgjigj:
“Arsye aq formale sa nuk ka ku të shkojë. Në 26 maj më bëhen 30 vjet deputet i zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë megjithë rezultatet e zgjedhjeve ‘96-‘97 nuk i gjen asgjëkund, jam i detyruar t’ia kërkoj KQZ-së. Do shkruaj një status. Do ta shikoni”.
Braçe ka theksuar rëndësinë e hapjes në parti.
Sipas tij forcimi i Partisë Socialiste vjen përmes pranimit të të gjithë atyre që duan të zhvillohen dhe të zhvillojnë idetë me PS-në.
Braçe u mandatua si deputet në Qarkun e Tiranës në zgjedhjet e fundit parlamentare (11 maj 2025), duke fituar mandatin nga lista e hapur e PS-së, ndërsa rezultoi më i votuari.
Ndërkohë zgjedhjet lokale pritet të mbahen në pranverën e 2027-ës ndërsa aktualisht Tirana drejtohet nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim prej më shumë se 1 viti.