E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet kokainë me vlerë rreth dy milionë euro në Portin e Durrësit

TIRANË, 14 shtator /ATSH/ Policia e Durrësit goditi një rast të trafikimit të kokainës nga Brazili drejt Shqipërisë.

Policia njoftoi se në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 3”, në Portin e Durrësit shërbimet e Policisë kryen kontroll të imtësishëm në një kontejner me origjinë nga Brazili, i cili, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule.

Sipas policisë, gjatë kontrollit të kontejnerit, në kapakët e jashtëm të tij u konstatuan 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.

Policia bëri me dije se sasia totale e lëndës së dyshuar narkotike rezultoi 41 kg e 350 gramë, ndërsa vlera e saj përllogaritet rreth 2 milionë euro.

Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Brenda një muaji janë goditur 3 raste të tentativës për të futur lëndë narkotike në Shqipëri, nëpërmjet Portit të Durrësit.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›