Karakaçi: Ligji i ri i energjisë elektrike, themel për një treg modern, konkurrues dhe të integruar europian

Në kuadër të procesit të hartimit të ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi shpjegoi rëndësinë strategjike të kësaj nisme ligjore si një nga elementët kryesorë të reformës së thellë në sektorin energjetik.
“Ky proces, i hartimit të ligjit të ri të sektorit, që në fakt ju e shikoni këtu në termin “Për disa shtesa dhe ndryshime”, por besoj që për shkak të volumit të madh të ndryshimeve, patjetër do vijë si një nismë e re ligjore, vjen në kuadër të përafrimit të legjislacionit kombëtar me të drejtën e Bashkimit Europian dhe përmbushjen e detyrimeve tona në kuadër të kapitullit 15 të Bashkimit Europian të Energjisë”, deklaroi ministri Karakaçi.
Sipas tij, ligji nuk kufizohet vetëm në përditësimin e kuadrit ligjor ekzistues, por vendos themelet për një model të ri zhvillimi të tregut të energjisë elektrike në Shqipëri: më të hapur, më konkurrues, më fleksibël dhe më të integruar në tregjet rajonale.
“Patjetër që edhe në kushtet e sotme, të gjitha masave që ka marrë Qeveria Shqiptare për integrimin europian, hapjen e të gjithë kapitujve dhe punën shumë voluminoze që çdo institucion i qeverisë shqiptare po ndërmerr në kuadër të integrimit europian, edhe ky ligj vjen si një hap shumë i rëndësishëm. Ai nuk synon vetëm përditësimin e kuadrit ekzistues ligjor të sektorit të energjisë elektrike, por mbi të gjitha ka qëllimin e vendosjes së themeleve për një model të ri zhvillimi të funksionimit të tregut të energjisë elektrike në vendin tonë. Një model më i hapur, më konkurrues, më fleksibël dhe më të integruar në tregjet rajonale”,theksoi Karakaçi.
Ai nënvizoi se kushtet e tregut kanë ndryshuar rrënjësisht që nga miratimi i ligjit aktual në vitin 2015.
“Së pari, ky ligj sjell një riformatim të modelit të tregut të energjisë elektrike. Largohemi dhe tentojmë të largohemi sa më shumë nga një model i centralizuar, ku aktorët shtetërorë kanë patur vendimmarrjen më të madhe, drejt një tregu më të liberalizuar, ku shteti nuk ndërhyn më aq shumë sa jemi mësuar me modelin ekzistues dhe bazë e saj të jetë konkurrenca.
Dhe në fakt kushtet aktuale të tregut për ligjin, kur është miratuar ligji aktual në fuqi në vitin 2015, tregu i energjisë elektrike ishte shumë më i ndryshëm nga tregu që kemi sot. Pra, prodhuesit e energjisë elektrike ishin kryesisht hidrikë, ishin kryesisht me kontrata koncesionare, me blerje energjie nga shteti.
Ndërkohë, tregu i energjisë sot është në një fazë komplet tjetër. Sot tregut i janë shtuar burime të reja energjie, i janë shtuar burime kryesisht fotovoltaike, që përbëjnë rreth 10% të prodhimit të brendshëm të energjisë elektrike. Janë shtuar konsumatorët aktiv, kemi rreth 400 mega vetëprodhues, kemi dhe instrumente të reja, që deri para pak vitesh as që mendoheshin, siç është krijimi, themelimi dhe funksionimi i ALPEX-it”, u shpreh më tej Karakacci.
Ministri Karakaçi theksoi se projektligji fuqizon ndjeshëm rolin e Entit Rregullator të Energjisë (ERE), duke i dhënë kompetenca më të gjera për zhvillimin e rregullave të tregut, monitorimin dhe garantimin e konkurrencës.
/rtsh.al/