Qeveria i kalon Universitetit “Ismail Qemali” administrimin e ish-Gjykatës së Apelit Vlorë

TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin për kalimin e përgjegjësisë së administrimit të një prone shtetërore nga Ministria e Drejtësisë te Ministria e Arsimit dhe Sportit, në funksion të Universitetit “Ismail Qemali” Vlorë.
Prona në fjalë, e njohur me emërtimin “Gjykata e Apelit, Vlorë”, ndodhet në zonën kadastrale 8603 të qytetit dhe i kalon në administrim Universitetit “Ismail Qemali”, me qëllim ushtrimin e veprimtarisë në fushën e arsimit të lartë dhe përmbushjen e misionit të tij akademik.
Me këtë vendim, prona hiqet nga lista e inventarit të pronave që ishin në administrim të Ministrisë së Drejtësisë, sipas vendimit nr. 1292, datë 24.9.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
Gjithashtu, zyrat e shërbimit dhe arkivit gjyqësor të ish-Gjykatës së Apelit Vlorë do t’i jepen për përdorim, pa shpërblim, Këshillit të Lartë Gjyqësor, si ambiente informacioni për qytetarët.
Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti “Ismail Qemali”, si dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor do të lidhin një marrëveshje për përcaktimin e kushteve të përdorimit të këtyre ambienteve.
Vendimi parashikon gjithashtu ndalimin e ndryshimit të destinacionit të pronës, të tjetërsimit apo dhënies së saj në përdorim palëve të treta nga institucionet përfituese.
Për zbatimin e këtij vendimi janë ngarkuar Ministria e Arsimit dhe Sportit, Universiteti “Ismail Qemali”, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të botohet në “Fletoren Zyrtare”.
/a.f/r.e/