E Diel, 1 Nëntor 2026

Kategoritë prioritare që përfitojnë nga strehimi social, dokumentet që kërkohen

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Familjet me të ardhura të ulëta, familjet me shumë fëmijë, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje dhe jetimët janë ndër kategoritë që trajtohen me përparësi në programet e strehimit social.

Enti Kombëtar i Banesave ka hapur aplikimet për programet e strehimit social, ndërsa qytetarët mund të aplikojnë online përmes platformës “e-Albania”, në shërbimin “Kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social”.

Sipas përcaktimeve të Ligjit “Për strehimin social”, përparësia përcaktohet duke marrë në konsideratë jo vetëm të ardhurat e familjes, por edhe gjendjen sociale, përbërjen familjare dhe kushtet e banimit.

Në kategoritë prioritare përfshihen familjet me të ardhura të ulëta dhe familjet me shumë fëmijë, për të cilat vlerësohet gjendja ekonomike dhe numri i anëtarëve. Në këtë proces përdoren dokumente që dëshmojnë të ardhurat nga punësimi, vetëpunësimi, pensioni, ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë.

Personat me aftësi të kufizuara dhe jetimët përbëjnë gjithashtu kategori të veçanta, për të cilat kërkohet dokumentacion që vërteton statusin përkatës. Në skemën e kategorive në nevojë përfshihen edhe persona të mbetur të pastrehë si pasojë e lirimit të ish-pronave, persona me statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” ose “azilkërkues”, si dhe familjet e punonjësve të rënë në detyrë.

Një kategori tjetër që merr trajtim të veçantë janë viktimat e dhunës në familje. Për aplikimin kërkohet urdhër mbrojtjeje ose urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje, në varësi të rastit.

Legjislacioni parashikon gjithashtu marrjen në konsideratë të rrethanave të veçanta sociale, ku përfshihen ndër të tjera pjesëtarë të komuniteteve rome dhe egjiptiane, të mitur në konflikt me ligjin, persona që i përkasin komunitetit LGBTI dhe kategoria vajzë-nënë.

Pjesë e rëndësishme e vlerësimit është edhe situata e strehimit. Institucioni verifikon nëse familja disponon banesë dhe nëse ajo përmbush kushtet dhe normat e strehimit. Për këtë qëllim mund të kërkohen vërtetime mbi pronat e anëtarëve të familjes, sipërfaqen e banesës apo mungesën e një pasurie të përshtatshme për strehim.

Dokumentacioni ndryshon në varësi të situatës së çdo aplikanti. Qytetarët duhet të identifikojnë kategorinë në të cilën bëjnë pjesë dhe të paraqesin dokumentet që provojnë gjendjen ekonomike, familjare, sociale dhe të strehimit.

Në këtë mënyrë, programet e strehimit social synojnë të orientojnë mbështetjen drejt familjeve dhe individëve që kanë nevojën më të madhe për një banesë, duke krijuar akses më të drejtë në skemat publike të strehimit.

/e.xh/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›