Katër gjyqtarët që do të vendosin për fatin e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Më 16 shtator, në orë 10:00 – pas më shumë se gjashtë vitesh nga konfirmimi i aktakuzës dhe 234 ditësh proces gjyqësor, Dhomat e Specializuara në Hagë do të shpallin aktgjykimin në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Fati i katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përcaktohet nga një trup gjykues i përbërë nga katër gjyqtarë ndërkombëtarë.
Ata janë:
– Charles Smith III – gjyqtar amerikan dhe kryesues i trupit gjykues.
– Christoph Barthe – gjyqtar gjerman.
– Guénaël Mettraux – gjyqtar zviceran.
– Fergal Gaynor – gjyqtar irlandez.
Trupi gjykues do të vlerësojë provat dhe argumentet e paraqitura gjatë procesit dhe do të vendosë nëse të akuzuarit janë fajtorë apo të pafajshëm për akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Shpallja e aktgjykimit më 16 shtator pritet të jetë një nga momentet më të rëndësishme të procesit gjyqësor në Hagë, ndërsa vendimi i trupit gjykues do të përcaktojë hapin e radhës në çështjen ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Charles L. Smith III – kryesues i panelit

Gjyqtari amerikan Charles L. Smith III është kryesues i Trupit Gjykues II dhe zëvendëspresident i Dhomave të Specializuara. Nga viti 2010 deri më 2013 ka shërbyer si gjyqtar i EULEX-it, ndërsa nga viti 2011 deri më 2013 ishte edhe anëtar i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Christoph Barthe – eksperti gjerman i krimeve të luftës

Christoph Barthe është jurist gjerman me përvojë të gjatë në të drejtën penale dhe ndërkombëtare.
Ai ka shërbyer si prokuror pranë Gjykatës Federale të Drejtësisë të Gjermanisë dhe është marrë me ndjekjen e krimeve të luftës dhe gjenocidit.
Guénaël Mettraux – gjyqtari zviceran me përvojë ndërkombëtare

Guénaël Mettraux është jurist zviceran me përvojë të gjatë në të drejtën penale ndërkombëtare.
Ai ka punuar në raste para Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Tribunalit Special për Libanin, Dhomave të Jashtëzakonshme në Kamboxhia dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare.
Fergal Gaynor – gjyqtari rezervë

Irlandezi Fergal Gaynor është gjyqtari i katërt që ka ndjekur procesin, por në cilësinë e gjyqtarit rezervë.
Ai nuk merr pjesë në votimin për aktgjykimin, përveç nëse caktohet zyrtarisht për të zëvendësuar një nga gjyqtarët e rregullt.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.
/abcnews.al/