Këlcyrë, rriten rastet me viroza dhe COVID-19 – Mjekët apelojnë për kujdes që të shmangen ndërlikimet

Në Qendrën Shëndetësore të Këlcyrës, gjatë muajve tetor–nëntor janë regjistruar rreth 100 raste me viroza të stinës dhe COVID-19. Mjekja Entela Ibrahimi bën të ditur se më të prekurit nga infeksionet respiratore janë të moshuarit dhe fëmijët.
“Kemi pasur raste më të hershme të gripit stinor dhe ka nënvariante të tjera të COVID-19. Gjatë muajit tetor kishim rreth 40 persona që ishin me simptomat e gripit dhe me nënvariante COVID-19. Ndërsa në muajin nëntor kemi rreth 50 veta të grupmoshave të ndryshme.”
Ajo u bën apel qytetarëve që në çdo rast të shfaqjes së simptomave të drejtohen menjëherë tek mjeku i familjes ose tek specialistët, për të marrë trajtimin e duhur dhe për të shmangur komplikacionet.
“Këtë vit kemi edhe shtim të gripit. Së fundmi kemi dhe gripin respirator, një grip i rrezikshëm që duhet të paraqiten të gjithë të prekurit tek mjeku i familjes sa më shpejt, për të mos u ndërlikuar gjendja dhe për të mos u vështirësuar më tej.”
Me rritjen e rasteve të virozave dhe COVID-19, mjekët e Qendrës Shëndetësore në Këlcyrë theksojnë rëndësinë e kujdesit dhe diagnostikimit të hershëm, për të shmangur përhapjen dhe komplikacionet e mundshme.
Gazetare: L. Koçiu