E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënoi me lëndë plasëse pronarin e një biznesi, arrestohet 21-vjeçari në Dibër

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Policia e Dibrës arrestoi një 21-vjeçar i cili vendosi një pajisje të dyshimtë dhe kërcënoi për shpërthimin e saj pronarin e një biznesi, në këmbim të 50 000 eurove.

Sipas policisë, si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe hetimit intensiv, brenda pak orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 21 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Policia bëri me dije se pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë, nga ku rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.

“Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas dyshohet se, rreth orës 14:30, në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh., kishte vendosur një kuti të dyshimtë, mbi të cilën ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar”, njoftoi policia.

Sipas policisë, mbi kuti ishte vendosur një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e shumës prej 50 000 eurosh, në formën e një gjobe.

Pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave, në adresën e përcaktuar nga autori.

Në letër, autori kërcënonte se kutia do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.

Gjithashtu, ai pretendonte se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim dhe se ambienti monitorohej me kamera.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›