Kërkoi lirim nga qelia, GJKKO lë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Metën

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg ndaj presidentit të Partisë së Lirisë Ilir Meta, pasi ky i fundit kërkoi ndryshim e saj.
Sipas avokatit të Ilir Metës, Kujtim Cakrani, prokuroria nuk ka prova të mjaftueshme për ta mbajtur atë në masën më të rëndë të sigurisë. Cakrani theksoi se Meta po mbahet në burg për arsye politike.
“Parashtrova arsyet pse Meta nuk duhet të rrijë në kushtet e paraburgimit. Foli edhe Meta për rreth 1 orë ku ai hodhi dritë mbi pretendimet të organit të procedurës qoftë për një kartë krediti që dispononte ish-bashkëshortja e tij, por edhe për disa veprime të tjera të lobimit, që në fakt nuk pasqyrohen me emër dhe mbiemër kush i ka firmosur nga ana e organit të procedurës.
“Gjykata vendosi vazhdimi e masës së sigurimit. Ne Nuk prisnim ndonjë ndryshim të masës së sigurimit, pasi ne jemi të bindur, z. Meta është i bindur që është aty për arsye politike, besoj se nuk ka sot një precedent të dytë që një ish-kryeministër, ish-president, ish-kryetar Kuvendi që akuzohet dhe pretendohet për akuza shumë të largëta në kohë, por edhe të papritura tashmë nga organi i akuzës, të qëndrojë në një masë sigurimi ekstreme, siç është arresti me burg”, tha Cakrani.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit të kaluar, nën akuzat për pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.
Nga paraburgimi, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas vendimit. “Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”.”, shprehet Meta.
“Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik”, tha Meta.
“Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, përfundon Meta.
/a.f//r.e/