E Martë, 3 Nëntor 2026

Ndryshimet në ligjin për të huajt, Hoxha: Pjesë e përmbushjes së detyrimeve për procesin e anëtarësimit në BE

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha në seancën e sotme plenare prezantoi në Kuvend projektligjin “Për të huajt”.

Në fjalën e tij para deputetëve, ministri Hoxha nënvizoi se ky projektligj “nuk është thjesht një ndërhyrje në ligjin ekzistues “Për të huajt”, por një hap strategjik i ri i Shqipërisë më të drejtë, për sigurt dhe më të përgatitur për të përballuar sfidat e së ardhmes”.

Hoxha nënvizoi se projektligji është në përmbushje të angazhimit të drejtpërdrejtë të qeverisë shqiptare për të garantuar të drejtat themelore të çdo individi që kërkon të jetojë, punojë dhe integrohet në vendin tonë.

Ministri vijoi më tej duke theksuar se projektligji “vjen si pjesë e zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Migracionin, që i jep fund një epoke dhe qasjes fragmentare dhe i hap rrugë një menaxhimi të integruar, efikas dhe më human të migracionit dhe kufirit”.

Në këtë nismë të propozuar, ministri veçoi tri shtyllat kryesore.

“Së pari, garantimi i të drejtave dhe mbrojtja sociale për migrantët, refugjatët dhe azilkërkuesit. Nisma u jep fund pasigurive ligjore, që për vite me radhe ka rënduar mbi shumë individë të cilët kanë pasur dhe vonesa herë pas here. Ajo mundëson akses dhe programe integrimi, shërbime sociale dhe juridike, si dhe proces më të qartë për të drejtat e aplikimit;

“Së dyti, përmirësimi i procedurave dhe digjitalizimi i tyre. Kemi thjeshtuar dhe shkurtuar afatet për aplikim, duke e bërë më të lehtë për punonjësit shumë të kualifikuar të huaj, që të kontribuojnë me aftësitë dhe përvojën e tyre në zhvillimin e vendit tonë;

“Së treti, është krijuar një kuadër institucional më i fortë dhe më i koordinuar për menaxhimin e migracionit. Për herë të parë, përgjegjësitë e institucioneve janë të qarta me te lidhura me njëra-tjetrën në mënyrë funksionale dhe llogaridhënëse”, tha ministri.

Sipas Hoxhës “këto ndryshime janë pjesë e përmbushjes së detyrimeve tona ndërkombëtare, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, dhe konkretisht përputhen me kërkesat e Kapitullit 24 të Acquis së BE-së, që lidhet me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë”.

Nga ana tjetër, ministri shtoi se “projektligji është një investim për Shqipërinë e së nesërmes. Duke krijuar një klimë të favorshme për investitorët e huaj dhe një sistem të drejtë për migrantët, ne e propozojmë kështu vendin si një qendër tërheqëse në rajon — një vend që nuk i mbyll dyert, por i hap me përgjegjësi dhe me dinjitet”.

“Në këtë kuadër, ndryshimet për Lejen Unike për punonjësit shumë të kualifikuar, rregullat e bashkimeve familjare dhe shkallët e ankimimit, janë më të shumtë sesa dispozita ligjore, ato janë shprehje e një vullneti për të ndërtuar një sistem të bazuar mbi dinjitetin njerëzor, sundimin e ligjit dhe besimin në institucionet shtetërore. Po ashtu, nisma është pjesë e Udhërrëfyesit për Shtetin e së Drejtës, duke siguruar që çdo hap që ndërmarrim në drejtim dhe menaxhimit të migracionit është i mbështetur në standarde evropiane dhe respekt për të drejtat e njeriut”, tha Hoxha.

Ministri nënvizoi se ky projektligj nuk është vetëm një domosdoshmëri ligjore.

Sipas Hoxhës është një shprehje e vizionit tonë për një Shqipëri të integruar, të drejtë dhe të hapur ndaj mundësive të reja.

“Një Shqipëri që nuk frikësohet nga ndryshimi, por e udhëheq atë me mençuri dhe përkushtim. Sot ne nuk po ndryshojmë vetëm një ligj. Po ndërtojmë një sistem të tërë. Një sistem që do të jetë më transparent, më i shpejtë, më i drejtë dhe më i denjë për një vend që synon që të jetë shpejt anëtar i denjë i familjes evropiane”, tha Hoxha.

/m.q//r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›