Kirgistani në kërkim të investitorëve shqiptarë për projektin 1,2 miliardë euro

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Albana Laknori, priti sot në një takim zyrtar ambasadorin e Kirgistanit në vendin tonë, Ruslan Kazakbayev.
Në fokus të takimit ishte forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe krijimi i urave të komunikimit mes komuniteteve të biznesit në Shqipëri dhe Kirgistan.
Gjatë takimit ambasadori prezantoi një projekt në sektorin e turizmit dimëror, që ka të bëjë me ndërtimin e një piste skish me gjatësi 250 km dhe një investim total prej 1,2 miliardë eurosh.
“Strukturat akomoduese janë tashmë të përfunduara, ndërsa autoritetet janë në kërkim të investitorëve ndërkombëtarë për operacionalizimin e projektit. Tenderi do të jetë i hapur nga 15 deri më 18 korrik 2028, dhe investitorët shqiptarë janë të mirëpritur të aplikojnë”, u shpreh ambasadori.
Ambasadori Kazakbayev theksoi avantazhet që Kirgistani ofron për investitorët e huaj, përfshirë kostot e ulëta operative, energjinë e lirë, si dhe lehtësira ligjore dhe fiskale.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet dy Dhomave të Tregtisë dhe shkëmbimi i ftesave për panaire dhe forume biznesi, me qëllim rritjen e ndërlidhjes mes sipërmarrësve të të dy vendeve.
1 nga 3/a.gj//r.e//a.f/