E Martë, 3 Nëntor 2026

Strehimi social, 39 familje në Maliq do të përmirësojnë kushtet e banimit

TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Përmes Programit Kombëtar të Strehimit Social qeveria shqiptare po ofron zgjidhje të përballueshme dhe cilësore për familjet me të ardhura të ulëta dhe të mesme që nuk mund të përballojnë blerjen e një shtëpie me çmimet e tregut.

Bashkia Maliq është një nga përfitueset e programit të strehimit social për vitin 2025, ku 39 familje do të përfitojnë nga ndërhyrje për përmirësimin e banesave ekzistuese.

Projekti ka një vlerë totale prej 31 milionë lekësh dhe synon të rrisë cilësinë e jetesës për komunitetet më të varfra dhe të pafavorizuara, duke siguruar kushte më të denja banimi për familjet në nevojë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ky është një tjetër hap konkret drejt rritjes së kohezionit social dhe barazisë në aksesin ndaj shërbimeve bazë.

“Programi i strehimit social mbështet bashkitë që ndërmarrin nisma të prekshme për qytetarët, duke vendosur në qendër të politikave publike dinjitetin dhe mirëqenien e çdo familjeje shqiptare”, tha ai.

Në vitin 2024, 847 familje në 22 bashki përfituan nga ky program.
Për periudhën 2025-2026 është parashikuar të mbështeten 1253 familje në 35 bashki.

/a.gj//a.f//r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›