E Martë, 3 Nëntor 2026

Koçiu: Kryhet ndërhyrja me teknikën Sleeve gastrotektomia laparoskopike, për herë të parë në spitalet publike

TIRANË, 17 qershor/ATSH/ Ekipi i mjekëve në repartin e Kirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë ka realizuar për herë të parë një ndërhyrje të suksesshme te një pacient mashkull i moshës 62-vjeçare me teknikën “sleeve gastrektomia laparoskopike”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu solli sot në rrjetet sociale këtë rast, duke theksuar se teknika Sleeve gastrektomia laparoskopike realizohet për herë të parë në spitalet publike në Shqipëri.

Sipas Koçiut, “kjo teknikë është realizuar tek një pacient 62-vjeçar, i cili prej kohësh vuante nga obeziteti morbid dhe kjo i kishte krijuar edhe sëmundje të tjera shoqëruese duke ia vështirësuar cilësinë e jetës”.

Ministrja Koçiu u ka shprehur mirënjohjen Prof. Arvin Dibra, dhe ekipit të mjekëve: Denis Godaj, Ambra Doku, Eri Stafa, anestezistët Majlinda Naço, Ana Mandi dhe Infermieret Ermela Gjona, Andi Dyrmishi, Anjeza Sadikaj dhe Besa Seiti.

Ndërkaq, Arvin Dibra, shef Shërbimi i Kirurgjisë së Përgjithshme thotë se ekzistojnë disa mënyra të ndryshme trajtimi të obezitetit morbid, sëmundjes moderne të ditëve të tona dhe një prej tyre është heqja e një pjese të stomakut. Kjo teknikë sipas mjekut Dibra, redukton volumin e stomakut dhe si pasojë edhe rënien në peshë të pacientit.

“Laparoskopia rrit shumë shanset që ndërhyrja të realizohet në mënyrë perfekte, ndërsa komplikacionet post operatore të minimizohen. Pacienti është në ditën e katërt post operatore dhe së shpejti do të largohet në shtëpi”, pohoi Dibra.

Ndërsa, pacienti 62-vjeçar thotë se në QSUNT nuk ka munguar për asnjë minutë shërbimi apo ndonjë aparaturë që do rrezikonte ndërhyrjen e tij.

“Një staf i mrekullueshëm! Faleminderit për respektin, për ndihmën e dhënë dhe jetën që më shpëtuat. Mirënjohje për mjekët, infermierët, kryeinfermierët dhe gjithë stafin. Kam qenë jashtë shtetit në Greqi, në Itali, në Spanjë dhe këtu nuk ndryshon asgjë, nuk ka asnjë dallim”, thotë ai. /e.i/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›