E Enjte, 5 Nëntor 2026

Koçiu: Mbështetje planit të koordinuar institucional për sigurinë në shkolla

TIRANË, 20 nëntor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu tha sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, se mbrojtja dhe respektimi i të drejtave të fëmijëve, mbetet prioritet absolut i shoqërisë dhe institucioneve.

Koçiu mori pjesë në konferencën e organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe UNICEF “Dëgjojmë të Ardhmen”, ku theksoi rëndësinë e mbrojtjes dhe respektimit të çdo të drejte të fëmijëve, si një prioritet absolut për shoqërinë dhe institucionet.

“Dy ditë më parë, humbi tragjikisht jetën një 14-vjeçar, një ngjarje që na tronditi të gjithëve dhe na bëri të reflektojmë se sa urgjente është puna për mbrojtjen e jetës dhe të drejtave të fëmijëve. Ky është një moment për të rritur angazhimin tonë ndaj çdo fëmije që ka nevojë për mbështetje dhe mbrojtje”, u shpreh Koçiu.

Sipas Koçiut, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale mbështet fort nismën e ndërmarrë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për një Plan Veprimi të koordinuar institucional për sigurinë në shkolla. Vetëm bashkëveprimi i të gjithëve mund të sjellë rezultate të dukshme në drejtim të parandalimit të dhunës, bullizmit, diskriminimit apo stigmatizimit në shkollat tona.

“Orientimi, bashkëpunimi dhe unifikimi i politikave për një ambient të sigurt në shkolla do të prodhojë më shumë siguri. Ndaj, të bëhemi të gjithë bashkë për një qëllim madhor: mbrojtjen dhe edukimin e brezit të ri. Duhet të jemi së bashku të gjithë aktorët, institucionet shtetërore, pushteti vendor, komunitetet, partnerët, shoqëria civile, media, për të luftuar fenomene të tilla dhe për të adresuar problematika kaq serioze. Ndaj t’i bashkohemi këtij plan-veprimi, ta mbështesin dhe përmirësojnë atë me propozime produktive, nëse kanë vullnetin pozitiv për të kontribuar për një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj, larg dhunës”, apeloi ministrja.

Ministrja Koçiu tha se nga Komiteti për të Drejtat e Fëmijës janë evidentuar gjithsej 51 rekomandime, nga të cilat më prioritaret kanë të bëjnë me mosdiskriminimin, dhunën ndaj fëmijëve, abuzimin dhe shfrytëzimin seksual, sigurimet shoqërore, standardi i jetesës dhe arsimimi dhe për të cilat është hartuar një plan i detajuar veprimi dhe masash me aktorët përgjegjës për zbatimin e tyre.

“Ndërsa puna vazhdon për adresimin e këtyre rekomandimeve një pjesë e tyre tashmë janë zbatuar, theksoj faktin që edhe në buxhetin e vitit 2025 do kemi më shumë mundësi për të adresuar problematika dhe për të mbështetur familjet në nevojë apo fëmijët që janë jashtë kujdesit prindëror. Rishikimi i skemave tona sociale ka sjellë trefishim i mbështetjes financiare për më shumë se 1 mijë fëmijë pa kujdes prindëror, trefishim i mbështetjes financiare për 10 mijë familje që kujdesen për tre ose më shumë fëmijë, dyfishim i mbështetjes financiare për rreth 6 mijë familje me kryefamiljare femra”, theksoi Koçiu.

Ministrja nënvizoi se “9200 nëna të papuna me tre ose më shumë fëmijë, mbështeten nga programi për subvencionimin e sigurimeve të detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore, 34 mijë fëmijë të grupeve të moshave 6-14 vjeç mbështeten me subvencione për të ndjekur arsimin e detyrueshëm, 2227 bonuse bebesh të dhëna vetëm gjatë këtij viti si dhe fuqizimi i familjes përmes riintegrimit social të anëtareve përmes programeve sociale, formimit profesional ku kanë përfituar rreth 2409 familje me fëmijë”.

Sa i përket mbështetjes dhe ndihmës për fëmijët me aftësi të veçanta, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se “kemi filluar me trajtimin dhe diagnostikimin e hershëm të aftësisë së kufizuar sidomos në grupmosha 0-2 vjeç aty ku është edhe fokusi më i madh me qëllim evidentim sa më të shpejtë dhe trajtimin akoma më mirë pasi e dimë që sa më shpejt të kapen problematika lidhur me specifika të veçantë të fëmijëve tanë, aq më shpejt mundet edhe t’i trajtojmë ato”.

Gjithashtu, Koçiu falënderoi UNICEF për bashkëpunimin në hartimin e një programi të ri “Garancia e fëmijëve” i cili mbështetet edhe nga Komisioni Evropian për të adresuar të gjitha specifikat lidhur me fëmijët.

“Aktualisht kemi 10 mijë familje me fëmijë me aftësi ndryshe që përfitojnë pagesa cash, por përpos mbështetjes financiare, padiskutim qëllimi primar mbetet edhe ofrimi i shërbimeve rehabilituese riintegruese. Fondi Social ka mbështetur deri më sot krijimin e 8 qendrave të dedikuara për fëmijët me aftësi ndryshe në të gjithë vendi duke pas parasysh se që nga fillimi i aplikimit të këtij instrumenti financiar kemi 73 shërbime të reja me 35 mijë përfitues, shumë prej tyre të mitur”, ka deklaruar ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

20 Nëntori është Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Fëmijëve.

Shqipëria e ratifikoi Konventën për të Drejtat e Fëmijës në vitin 1993, duke u angazhuar në këtë mënyrë të përmbushë këto të drejta dhe t’i paraqesë raporte periodike për progresin dhe sfidat Komitetit për të Drejtat e Fëmijës. /j.p/

1 nga 11

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›