Koçiu i drejtohet Berishës: Distancohu nga dhuna ndaj policëve në protestë

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu u shpreh sot, gjatë seancës plenare në Kuvend, se punonjësit e policisë u dhunuan në protestën e drejtuar nga kreu i PD-së, Sali Berisha.
Në replikë me Berishën, Koçiu iu drejtua Berishës me etiketimet “dhunues dhe gënjeshtar patologjik”.
“Siç ishe ti në spital, edhe unë isha në spital. Por ti zgjodhe të mos shohësh policët, mbylle sytë. Policët morën shërbim në spital dhe sot janë të shtruar aty. Je gënjeshtar patologjik, përveçse je dhunues dhe porositës kronik i dhunës, i derdhjes së gjakut, e ke në gjen atë gjakun që do të derdhësh”, tha Koçiu.
Ministrja iu drejtua Berishës duke thënë se policët u dhunuan në protestën e porositur nga vetë ai.
“Të kërkosh ndjesë dhe të distancohesh nga dhuna që u ushtrua ndaj Policisë së Shtetit. Ty të ka dënuar historia, i ke fantazmat në dollap. Nuk ke marrë drejtësi, por shpirtrave të atyre që ke dhunuar dhe vrarë nuk u shpëton dot, do të të përndjekin”, u shpreh Koçiu.
Gjithashtu, ministrja e Brendshme nënvizoi se “ka një kufi të qartë që ndan betejën poltike nga dinjiteti njerëzor. Sot porositësi kronik i dhunës rikonfirmoi se këtë kufi është i gatshëm ta shkelë me dhunë, me gjakderdhje dhe gënjeshtra sa herë që e kërkon ambicia e tij e sëmurë për pushtet”.
“Është e turpshme që, në vend të ndjesës publike dhe distancimit nga dhuna e protestës që vetë organizoi, zgjedh të mbyllë sytë e të mohojë plagët e punonjësve të Policisë së Shtetit. Kjo nuk është thjesht mëndësia e një politikani të dështuar, por instinkti i një njeriu që gjakderdhjen e ka mjetin e vetëm politik”, ka deklaruar Koçiu.
/e.i/j.p/r.e/