E Diel, 1 Nëntor 2026

Komanda Qendrore pezullon të gjithë dezertorët

Policët serbë po tentojnë ta ndajnë SHPK në më dysh. Lajmi se ata nuk duan t‘i përgjigjen komandës së drejtuar nga shqiptarët tashmë është bërë i njohur, por se sa serioze është situata

tregon edhe fakti se 130 prej tyre në Gjilan i dorëzuan armët. Negociata të shumta janë zhvilluar mes tyre dhe policisë së UNMIK-ut për në fund nuk ka pasur marrëveshje. Serbët nuk janë toleruar dhe janë detyruar të lenë armët. Po kështu, do të bëjnë edhe me uniformën, pasi pezullimi i tyre është për vetëm 48 orë. Nëse këta të fundit nuk do t‘i respektojnë rregullat, atëherë do të detyrohen të lënë edhe uniformat. Një situatë e ngjashme po zhvillohet në Graçanicë. Disa oficerë serbë kanë tentuar të marrin nën kontroll stacionin, por ata janë diktuar nga komanda qendrore në rrugë operative një ditë më parë. Rreth 70 policë serbë kanë qëndruar gjatë gjithë ditës jashtë stacionit të Graçanicës. Ata nuk i janë përgjigjur asnjë takimi apo thirrje që ka ardhur nga eprorët, thonë burimet brenda SHPK-së. Ata kanë kërkuar të takohen vetëm me autoritetet e UNMIK-ut. Negociatat mes tyre dhe autoriteteve të policisë së UNMIK-ut kanë vazhduar gjatë gjithë ditës, herë jashtë kangjellave të stacionit e herë brenda. Janë zhvilluar disa takime të ndryshme, por policia e UNMIK-ut dhe komanda e SHPK-së nuk ka pranuar propozimin e serbëve për të krijuar një stacion policor serb të ndarë nga SHPK-ja. Sipas zëdhënësit të SHPK-së për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, përfundimisht është marrë vendimi që nëse policët serbë nuk paraqiten ne punë deri në ora 12 të së shtunës, ata do të pezullohen. Ndërsa komandanti i stacionit, Stojan Millosheviç, pasi refuzoi shumë herë të fliste, në fund të takimeve tha se do të veprojnë ashtu siç kanë vendosur kolegët e policë të kombësisë serbe. "Do të jemi këtu për të shprehur pakënaqësitë tona dhe do të jemi pranë popullit serb që jetojnë në pjesën qendrore të Kosovës", tha Millosheviç pa përmendur çështjen e pavarësisë së Kosovës, e cila është arsyeja kryesore e këtij bojkoti. Disa banorë serbë të mbledhur rreth policëve flisnin me njëjri-tjetrin se i duhet vënë flaka stacionit nëse e marrin shqiptarët. Por gjithçka kaloi pa incidente falë edhe trupave të KFOR-it që kanë qëndruar gjatë gjithë kohës në afërsi të stacionit ku shpesh janë mbledhur edhe disa serbë të irrituar. Në SHPK janë punësuar gjithsej 710 policë të kombësisë serbe. Në një komunikatë të lëshuar nga zyra për informim e SHPK-së, komanda kryesore e policisë Prishtinë, thuhet se pas dy takimeve me policët serbë të rajonit të Gjilanit, të cilët kanë refuzuar urdhrat e Komandës Kryesore të SHPK-së, është vendosur që ata të suspendohen - me pagesë, deri në një vendim tjetër lidhur me këtë çështje. 129 policët e suspenduar dje i kanë dorëzuar armët në fshatin Kuvc të Gjilanit. Pakënaqësi e policëve serbë edhe në Graçanicë. "Ne kishim pranuar informata se pjesëtarët e SHPK-së të nacionalitetit serb ne rajonin e Gjilanit kanë shprehur dëshirën që të marrin urdhra nga UNMIK e jo nga SHPK, ndërsa po ashtu kemi pranuar informata se shumica nga ta dje dhe sot nuk janë paraqitur në vendin e punës sipas orarit të përcaktuar", thuhet në kumtesë. Në kumtesën e SHPK-së për opinion njoftohet se në takimin e zhvilluar në mes të përfaqësuesve të Komandës Kryesore të Policisë në Prishtinë dhe policëve nga rajoni i Gjilanit dhe pasi që ata nuk kanë pranuar të punojnë nën urdhra të Komandës Rajonale, me urdhër të Komandës Kryesore të Policisë në Prishtinë, janë suspenduar me pagesë deri në një vendim tjetër nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›