Kur s‘të zë gjumi nga muzika e lartë
Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, u premtoi të gjithë kryeqytetasve që nuk flenë dot gjumë natën nga zhurma e madhe e pub-eve dhe lokaleve të natës se, ato do të mbylleshin të gjitha. Sipas tij, do të mbylleshin edhe ato subjekte që shqetësojnë qytetarët me zërin e lartë të muzikës, ose do të gjobiten. Gjoba e parashikuar dhe e paralajmëruar ishte 100 mijë lekë. Por siç duket ishte thjesht një fushatë që nuk dha asnjë rezultat. Të gjitha pub-et dhe lokalet e natës në Tiranë vazhdojnë ta mbajnë në të njëjtin nivel zërin e muzikës, për të thithur sa më shumë klientë, pa menduar për banorët rreth e rrotull tyre. Me sa duket, kontrollet e paralajmëruara nga bashkia e kryeqytetit nuk kanë trembur askënd.
Gazetarët e "Fiks Fare" dolën përsëri në orët e vona të natës gjatë fundjavës së kaluar në disa lokale nate në Tiranë. Niveli i zhurmës në to ishte 75 dB (decibel)- 80 dB, pra mbi normën e lejuar, e cila është 45 decibel brenda në lokal dhe jashtë tij, normë kjo e përcaktuar nga Bashkimi Evropian. Nga ky kontroll u konstatua që në burim, pra brenda ambienteve të lokaleve të natës me muzikë, vlera e zhurmës është gati dy herë më e lartë nga sa duron veshi i njeriut.
Nga ana tjetër, nëpër rrugët e ish-Bllokut, një orë pas mesnate, dëgjohet muzikë me volum të lartë. Nëse ngjitesh në pallatet mbi këto pub-e, aparati që mat nivelin e zhurmës tregon se banorët e këtyre apartamenteve i shqetëson vazhdimisht një zhurmë që nuk zbret poshtë nivelit prej 75 dB. Po kështu, në rrugën "Perlat Rexhepi", aparati i matjes së zhurmës në katin e pestë të një pallati tregon fiks 79 dB.
Në zonën e Qytetit Studenti, zhurma e shkaktuar nga një lokal nate është 82 dB, ndërkohë që veshi i njeriut duron jo më shumë se 55 dB (është llogaritur nga institutet e Shëndetit Publik në botë që veshi i njeriut duron deri në 55 dB, pra një intensitet të tillë zhurme, në mënyrë që të mos u shkaktohen dëmtime në aparatin e dëgjimit).
Ndërkaq, në një pallat tjetër pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, një çift pensionistësh nuk mund të flenë. Burri rri zgjuar dhe shikon televizor, derisa lokali të mbyllë aktivitetin për atë natë, ndërsa gruaja e sëmurë mundohet t‘i shpëtojë shqetësimit që i shkakton zhurma e lartë e muzikës së lokalit, duke mbuluar kokën me jorgan. Niveli i zhurmës në apartamentin e tyre, i shkaktuar pikërisht nga muzika e lokalit që ndodhet në katin e parë të pallatit, është 80 dB.
Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për zhurmën që na rrethon kur ecim në rrugë. Pra, të gjithë jemi dëshmitarë që niveli i ndotjes akustike është shumë më i lartë se në mjaft vende të tjera të zhvilluara të botës. Këto zhurma shkaktojnë probleme në dëgjim, që për fat të keq janë të vonshme, nuk shfaqen menjëherë. Ato që mund të ndiejmë menjëherë mund të jenë një stres apo lodhje mendore, por një ekspozim ndaj zhurmave të vazhdueshme, veçanërisht kur jemi në intensitet të lartë, sjell ulje të mprehtësisë së dëgjimit të tingujve finë, deri te mosdëgjimi i fjalëve, pra nuk arrijmë të kuptojmë fjalët që thuhen. Këto shqetësime mund t‘i kenë të gjithë banorët e pallateve, pranë të cilëve është ndërtuar ndonjë pub apo lokal nate, ku zëri i muzikës është më i lartë se norma e lejuar. Shumë shpejt, te këta banorë do të fillojnë të shfaqen shenjat e para të humbjes së dëgjimit.
Tirana është një nga kryeqytetet me nivelin më të lartë të ndotjes akustike, si natën, ashtu edhe ditën. Duket se asnjë lokal nuk i respekton rregullat e vendosura nga bashkia për këtë qëllim.