Rinia, erotizmi dhe seksualiteti
Pak ditë më parë, në një nga edicionet e lajmeve në televizionin "Top Channel", nën titullin "Rini e shthurur", u evidentua fare hapur një e vërtetë e ditëve tona, që ka të bëjë me zgjerimin e marrëdhënieve seksuale të lira, kaotike, madje në grup dhe me shumë partnerë te të rinjtë shkollorë. Sipas konstatimeve të mjekut, si rezultat i zgjerimit të kësaj tipologjie të marrëdhënieve seksuale, janë shtuar së tepërmi rastet e sëmundjeve të kapërcyera me kohë, të turpshme për qytetërimin tonë, si pasojë e marrëdhënieve seksuale pa mbrojtje, me partnerë të rastit. Lajmi është shumë shqetësues për të rinjtë, prindërit, mësuesit, shkollën, por dhe për shoqërinë tonë.
Nëse do të flasim dhe do të merremi vesh me njëri-tjetrin sinqerisht, pa hipokrizi sociale, duhet të pranojmë se problemet e jetës, marrëdhënieve, kulturës seksuale, duam apo s‘duam, janë bërë probleme me rëndësi për jetën e njeriut modern. Veçanërisht e ndjeshme është kjo temë për rininë. Shoqëria, familjet, prindërit, mësuesit dhe shkolla ankohen shpesh për atë që e quajnë me të drejtë "krizë" në jetën intime të adoleshentëve, si dhe tendencën e uljes së moshës kur të rinjtë fillojnë jetën seksuale. Përplasja e mentaliteteve të të rinjve me familjen dhe prindërit, nga njëra anë dhe mësuesit dhe shkollën nga ana tjetër, është bërë konfliktit që buron pikërisht nga konceptet e ndryshme, madje të kundërta, midis prindërve, bashkëshortëve, të rinjve, traditës dhe koncepteve morale të trashëguara për "lirinë seksuale".
Kam pasur shpesh rastin, që për qëllime të studimit të këtij problemi, të bëj biseda e anketime me grupe të ndryshme moshore, me të rinj, prindër, mësues, sociologë e seksologë. Për këtë çështje me rëndësi për jetën sociale të shoqërisë shqiptare ka pikëpamje të ndryshme, nga ato konservatore deri tek ato që mund të quhen ultramoderne. Ashtu si kudo në botë, po ndodhin dy procese paralele, që duhen konsideruar nga familja, prindërit, mësuesi dhe shkolla. Ato kanë të bëjnë me një të vërtetë të madhe, që ka thyer paradigmat dhe konceptin tradicional, të vjetër, duke thyer më së pari "tabunë e virgjërisë", e cila i ka dhënë hov tendencës së rinisë me më shumë marrëdhënie seksuale pa përgjegjësi, për një koncept tejet të ekzagjeruar të "lirisë seksuale". Jo vetëm në studimet e "kohës së Frojdit", por dhe të sociologëve e psikologëve bashkëkohorë, theksohet ideja se te të rinjtë e sotëm të kohës moderne, veç pasionit të njeriut për zotërime e kënaqësi të pafundme materiale, kanë marrë hov të dukshëm dëshira më të zjarrta, të lira e përgjithësisht të pakontrolluara edhe në "fushën e seksit".
Lajmi në "Top Channel" nuk duhet të jetë i befasishëm, as i paditur për askënd. Ai ishte në të vërtetë pohimi i një të vërtete që qarkullon midis nesh si prindër, mësues, familje, shkollë dhe komunitet. Të rinjtë, sidomos ata të shkollave të mesme, për shkak të proceseve kontradiktore të natyrshme që përjetojnë, si pjekuria seksuale gjithnjë e më e hershme, në moshë gjithnjë e më të vogël, ka një kapërcim të rrufeshëm nga mentaliteti frenues i dikurshëm, në një voluntarizëm seksualisht e moralisht shqetësues. Mundet që gaboj në analizën dhe vëzhgimet socio-psikologjike të realitetit dhe mentalitetit që qarkullon në mjediset e rinisë shkollore apo universitare, por më duket se ky mentalitet favorizon lirinë seksuale, marrëdhëniet jashtë përgjegjësisë, thjesht për "qejf", kalim kohe dhe rivalitet ekzibicionist, apo superioritete fitimtarësh e të humburish. Te disa të rinj, gjimnazistë e studentë, ka filluar të krijohet ndjenja obsesionale, sipas së cilës, veprimtaritë më të hareshme të njeriut në këtë moshë, janë të lidhura dhe të përziera me pasionet seksuale. Mesa duket, "qejfi" në konceptimin seksual të tij po bëhet tabu e jetës së rinisë në kohën moderne. Ky është një problem që duhet parë dhe diskutuar me kujdes, tani në kohën e "lirisë seksuale".
Nuk mundet familja, shkolla, por dhe vetë të rinjtë të mos merren me këtë problem shumë delikat, që sa më shumë të banalizohet e të zhvishet nga "magjia e vërtetë", aq më shumë do të bëhet një ndjenjë ordinere, pa vlerë, që më shumë do të sjellë shqetësime në të ardhmen e shoqërisë sonë, por dhe në jetën e të rinjve tanë. Unë kam pasur raste që të diskutoj hapur për këtë temë me të rinj të gjimnazeve e universiteteve tona dhe më është krijuar ideja se te një masë jo e vogël e tyre, pasioni dhe marrëdhëniet seksuale "shërbejnë" si "kundërshpërblim" për zymtinë, monotoninë dhe stresin që krijon jeta moderne. Së dyti, disa të rinj të tjerë, që e kanë marrë jetën lehtë në fillimet e saj. Shumë të rinj janë të mendimit në mënyrë të thjeshtëzuar se "parimi" kryesor, universal i shoqërisë moderne ka lidhje të ngushtë me konceptin e "qejfit", dëshirës për sa më shumë kënaqësi, përfshirë edhe atë seksuale. Në këndshikimin empirik, kjo shoqëri, në përfytyrimin e disa njerëzve, sidomos në përfytyrimin e të rinjve, ka filluar të konceptohet, përfytyrohet dhe sintetizohet në dëshira kryesisht materialiste, fiziologjike dhe veçanërisht seksuale.
Mund të duket disi e ekzagjeruar, por që kur filloi "vala e tretë" e demokratizimit të shoqërisë moderne, ka një angazhim të dukshëm edhe në mendimin social e filozofik për ridimensionimin dhe zgjerimin e konceptit tradicional të "qejfit", sidomos të asaj pjese që ka të bëjë me nevojat, mënyrat e realizimit, përmbushjes së dëshirave seksuale të njeriut modern. Ajo që sipas mendimit tim është shqetësuese për shoqërinë tonë dhe që nuk u duhet fshehur prindërve, shkollës, opinionit publik dhe vetë të rinjve, është shpërthimi i dukshëm, në përmasa sociale i "seksualizmit kaotik". Ka një prirje të fortë, që duket në faktin se seksualizmi i të rinjve po shfaqet në shumë raste si qëllim në vetvete. Lidhjet seksuale janë bërë më të lira, më të kollajshme, më të mundshme për t‘u realizuar dhe alternuar, ngaqë seksualiteti realisht edhe në shoqërinë shqiptare, po bëhet përditë e më shumë veprimtari e ngushtë private, personale, konsensuale, pa qenë më "shoqërisht i ndërmjetësuar". Në pamje të parë, ky "realitet i ri" i jetës seksuale të shoqërisë sonë, është i shoqëruar me shumë fenomene kontradiktore me natyrë seksuale, që mund të konsiderohen "normale", si zgjerim i lirive të njeriut, si refuzim i "tabuve shoqërore" të vjetra, konservatore, puritaniste, antihumane, lidhur me botën e ndërlikuar dhe të bukur të seksit.
Dukuritë e jetës seksuale nuk janë të përveçme, "sui generis" për shoqërinë shqiptare. Filozofë, sociologë dhe seksologë të kohës sonë, megjithatë të shqetësuar, kanë ngritur para shoqërisë moderne, problemin e humanizmit të marrëdhënieve seksuale, të nevojës për "përdorimin shoqëror të energjisë së instinkteve". Ndërkaq, jo vetëm në fushën e mendimit social dhe seksologjik, por edhe në jetën e përditshme të shoqërisë shqiptare, ka dalë si shqetësim fakti që jeta intime, seksuale e të rinjve është duke pësuar një proces të fortë "çerotizimi". Duke analizuar dukuritë e reja të lidhjeve dhe marrëdhënieve seksuale, transformimin radikal që ka pësuar "kultura e seksualitetit", në shoqërinë tonë po shfaqet dukuria, që është lehtësisht e verifikueshme, se ka një ngushtim të ndjenjës humane të erotizmit, duke e reduktuar kënaqësisë njerëzore vetëm në marrëdhëniet që kanë të bëjnë me përmbushjen e instinkteve dhe kënaqësive seksuale. Ky është shqetësim për familjen, shkollën shoqërinë, por, së pari për vetë të rinjtë, të cilët kanë nevojë të kenë parime personale të qëndrueshme, në mënyrë që të adaptohen me ndryshimet që po pëson "kultura" e seksualitetit, liberalizimi i dukshëm i marrëdhënieve seksuale, në përmasa të paimagjinueshme kohë më parë. Realitetet e reja të kulturës dhe marrëdhënieve seksuale, sidomos te të rinjtë duhen parë me realizëm, duhen interpretuar drejt.
Filozofë të shquar modernë si Markuze, From apo studiues të shquar të seksit dhe jetës seksuale si: Simone de Bovuar, Sartr, Covey, Pasini, Merylin, David Miller etj., janë të mendimit se qytetërimi sjell në mënyrë të natyrshme një rritje të "lirisë seksuale", e cila, përveç vlerave të natyrshme që ka, po bëhet edhe "vlerë tregu". Ky është ndryshim i madh konceptual, "trupi i njeriut nuk është vetëm instrument pune, por edhe qejfi". Zgjerimi i konceptit të privacisë së trupit dhe lirisë së qejfit është sidoqoftë një arritje e madhe e lirisë… e cila, megjithatë, duhet përdorur drejt dhe nuk duhet shpërdoruar nga të rinjtë…