E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Ekonomisë miraton nen për nen tre pr.ligjet e Paketës Fiskale 2026

TIRANË, 2 dhjetor /ATSH/ Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat miratoi sot  nen për nen tre projektligjet e Paketës Fiskale: “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar”; “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe “Për disa shtesa në ligjin, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.

Deputetja Antoneta Dhima, relatore e projektligjit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, të ndryshuar”, tha se, ndryshimi në këtë ligj shtyjnë me një ditë afatin për dorëzimin e librave të shitjes dhe blerjes, si dhe zgjatjen e afatit për fiskalizimin e faturave të importeve deri në ditën e 7-të të muajit pasardhës.

“Për eksportet drejt individëve, faturat do të duhet të përfshijnë numrin personal të identifikimit të blerësit, duke rritur gjurmueshmërinë dhe saktësinë në raportim. Ndryshimet synojnë gjithashtu harmonizimin e termave tatimorë me kuadrin e ri, duke zëvendësuar “Tatimin mbi fitimin” me “Tatimin mbi të ardhurat e korporatës” dhe “Tatimin e thjeshtuar” me “Tatimin mbi të ardhurat personale nga biznesi”, tha ajo.

Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, synon forcimin e procedurave tatimore, luftën kundër informalitetit dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore.

Ndryshimet kanë të bëjnë me transformim digjital tatimor, uljen e parasë fizike, rritjen e gjurmueshmërisë së transaksioneve, forcimin e hetimit tatimor si dhe sanksione më efektive për shkelësit. Ky projektligj nuk ka efekte shtesë buxhetore.

Sa i takon nenit 19 të këtij projektligji, ku thuhet “i fillon efektet nga janari 2026”, hiqet dhe mbetet “hyn në fuqi 5 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare”.

Relatori i projektligjit “Për disa shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”, Elton Korreshi tha se “ky projektligj ka dy objektiva kryesorë: përjashtimin nga taksat në infrastrukturë të të gjitha ndërtimeve me fondet e buxhetit të qeverisjes qendrore dhe vendore për arsimin, shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale, si dhe qartësimin e referencës ligjore për përcaktimin e çmimit për metër katror gjatë llogaritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, duke saktësuar se vendimi i qeverisë i përdorur për këtë qëllim është ai që del në bazë të neneve të ligjit ekzistues”.

Sipas tij, sa i takon efekteve financiare, projektligji sjell ulje të të ardhurave me 300 milionë lekë për pushtetin vendor, që do të kompensohet nga transferta e pakushtëzuar duke filluar nga viti 2026.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›