E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Jashtëm miraton disa projektligje, nga Reforma në Drejtësi te lufta ndaj drogës

Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme ka miratuar disa projektligje të rëndësishme që lidhen me drejtësinë, administratën publike dhe sigurinë shëndetësore.

Nën drejtimin e kryetarit Igli Hasani, ligjvënësit diskutuan dhe miratuan nisma që synojnë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Dy nga ligjet më të rëndësishme të shqyrtuara ishin nisma të deputetit Olsi Komici, që prekin statusin e gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë.

Gjatë prezantimit, Komici theksoi se këto ndryshime shënojnë kalimin nga reforma legjislative drejt asaj institucionale funksionale.

“Kjo nismë reflekton një fazë të dytë të konsolidimit të reformës në drejtësi, duke adresuar problematikat e identifikuara dhe duke forcuar transparencën e meritokracinë,” u shpreh ai. Relatorja Romina Kuko nënvizoi se këto ligje janë jetike për përmbushjen e kushteve të negociatave për Kapitullin 23 të BE-së, një nga më të ndjeshmit për integrimin.

Një tjetër fokus i mbledhjes ishte integriteti i zyrtarëve. Komisioni miratoi projektligjin e ri “Për parandalimin e konfliktit të interesave”, i iniciuar nga deputetet Erjona Ismaili dhe Aulona Bylykbashi. Sipas deputetes Bylykbashi, ligji synon të vendosë mekanizma kontrollues pro-aktivë.

“Qëllimi nuk është vetëm rregullimi i kontratave të punës, por garantimi i zbatimit të barabartë të ligjit për të gjithë zyrtarët,” tha ajo.

Relatorja Sara Mila vlerësoi se ligji kalon nga një qasje formale në një qasje thelbësore për mbrojtjen e interesit publik.

Paketa u mbyll me dy ligje që forcojnë luftën kundër trafikut dhe abuzimit me substancat e rrezikshme. Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, prezantoi ndryshimet për kontrollin e lëndëve (prekursorëve) që përdoren për fabrikimin e drogave, duke theksuar nevojën për përditësimin e listave sipas standardeve të BE-së.

Ndërkohë, deputetja Klodiana Spahiu mbrojti ndryshimet në ligjin për “Barnat narkotike dhe lëndët psikotrope”, duke i cilësuar ato si masa të domosdoshme për rritjen e sigurisë publike.

Pas diskutimeve, projektligjet u miratuan në parim, nen për nen dhe në tërësi nga anëtarët e Komisionit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›