Spiunonte për Rusinë-Gjermania arreston ukrainasen

Autoritetet gjermane arrestuan një grua me shtetësi gjermane dhe ukrainase, e akuzuar se spiunonte për Rusinë duke mbledhur informacione mbi dronet e destinuara për Ukrainën në ngjarje politike dhe përmes miqësive me ish-punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes.
Sipas deklaratës zyrtare të prokurorisë gjermane, Ilona W. (emri i plotë nuk është bërë publik për shkak të ligjeve gjermane për mbrojtjen e privatësisë) akuzohet se ka mbajtur kontakte me ambasadën ruse në Berlin të paktën që nga nëntori 2023.
Shërbimet e sigurisë në të gjithë Evropën kanë paralajmëruar për një kërcënim në rritje nga agjencitë ruse të inteligjencës, të cilat synojnë të pengojnë mbështetjen perëndimore për Ukrainën kundër pushtimit të plotë rus të nisur në shkurt 2022.
Sipas prokurorëve, e dyshuara ka përpiluar dosje mbi pjesëmarrësit në ngjarjet politike me profil të lartë, ka mbledhur detaje për vende të industrisë së mbrojtjes, testime dronësh dhe dërgesa të planifikuara të dronëve në Ukrainë. Ajo ia ka kaluar këto informacione kontaktit të saj, i identifikuar si punonjës i shërbimeve sekrete ruse.
Në disa raste, Ilona W. ka ndihmuar kontaktin e saj rus të marrë pjesë në ngjarje politike në Berlin me identitete false, për të krijuar lidhje të dobishme për shërbimin inteligjent, thanë prokurorët.
Ky arrestim vjen në një kohë kur Gjermania dhe vendet e tjera evropiane janë në alarm për aktivitetet e dyshuara ruse të spiunazhit, sabotazhit dhe dezinformimit, sidomos në lidhje me mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
/rtsh.al/