Komisioni i Ligjeve miraton nismën e deputetëve për parandalimin e konfliktit të interesave në funksionet publike

Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike, nën drejtimin e kryetarit Ulsi Manja, miratoi sot tre projektligje të rëndësishme që prekin transparencën e qeverisjes dhe sigurinë kombëtare. Në fokus të diskutimeve ishin rregullimi për herë të parë i aktivitetit të lobimit në Shqipëri dhe modernizimi i kontrollit të tregtisë së armëve.
Lobimi, aktivitet i ligjshëm por i deklaruar
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”. Sipas ministres, ky ligj vjen si detyrim i procesit të negociatave me BE-në dhe synon të nxjerrë nga “hija” ndikimin e grupeve të interesit.
“Projektligji parashikon për herë të parë rregullimin e lobimit si një veprimtari e ligjshme, e kontrollueshme dhe transparente. Ai vendos mekanizma të detyrueshëm për deklarimin e kontakteve, përfshirë raportimin nga vetë zyrtarët publikë,” sqaroi Pirdeni.
Mbikëqyrja e këtij procesi do t’i besohet Komisionerit për të Drejtën e Informimit, i cili do të administrojë regjistrin e lobimit dhe do të vendosë gjoba në rast shkeljesh.
Kontrolli i rreptë i armëve
Në të njëjtën mbledhje, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori miratimin e komisionit për ligjin e ri “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit”. Vengu theksoi se ky nuk është thjesht një akt teknik, por një instrument sigurie kombëtare që rrit besueshmërinë e Shqipërisë si partner ndërkombëtar.
Ligji fuqizon Autoritetin e Kontrollit Shtetëror të Eksporteve (AKSHE) si njësinë qendrore gjurmuese për mallrat ushtarake, me qëllim parandalimin e trafikut të paligjshëm.
Konflikti i interesit dhe sigurimet
Komisioni miratoi gjithashtu nismën e dy deputeteve, Aulona Bylykbashi dhe Erjona Ismaili, për parandalimin e konfliktit të interesave në funksionet publike. Relatori Damian Gjiknuri bëri të ditur se teksti final ka marrë miratimin e ILDKPI-së dhe Këshillit të Evropës.
Ndërkohë, shqyrtimi i ligjit për sigurimet dhe risigurimet u shty për një mbledhje të ardhshme.
/rtsh.al/