Samiti i IV i Diasporës, Balla: Shqipëria në ditët e saj më të mira, mbyllim negociatat me BE brenda 2027

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe drejtuesi politik për Diasporën, Taulant Balla, ka njoftuar zyrtarisht datat e mbajtjes së Samitit të IV të Diasporës Shqiptare. Aktiviteti i rëndësishëm mbarëkombëtar do të zhvillohet në Tiranë më 14 dhe 15 Prill 2026, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit Edi Rama.
Përmes një mesazhi publik, Balla e cilësoi këtë samit si një mundësi reale për të bashkuar vizionin e shqiptarëve kudo në botë me institucionet në atdhe.
Ai theksoi se ky organizim vjen në një moment historik për Shqipërinë, e cila sipas tij, “gëzon sot nivelin më të lartë të përfaqësimit ndërkombëtar në 113 vitet e saj si shtet.”
Integrimi dhe NATO
Balla evidentoi rolin e Shqipërisë si faktor stabiliteti në rajon dhe listoi sfidat madhore të periudhës në vijim, duke vendosur një afat konkret për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është sot model i Evropës në Ballkanin Perëndimor, vend anëtar i Bordit të Paqes që pret vitin e ardhshëm Samitin e NATO-s dhe do të përmbyllim bisedimet për anëtarësim në BE brenda vitit 2027,” deklaroi Balla.
Thirrja për bashkëatdhetarët
Duke i konsideruar këto zhvillime si një mesazh inkurajimi për shqiptarët në trojet etnike dhe në emigracion, Balla ftoi përfaqësuesit e diasporës të bëhen pjesë aktive e Samitit të prillit.
“Diaspora jonë ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në këto momente historike… Një mundësi për të ndarë ide, përvoja dhe për të forcuar lidhjet mes diasporës dhe institucioneve në Shqipëri,” përfundoi ai.
/rtsh.al/