E Diel, 1 Nëntor 2026

Komisioni i Medias, kalon ligji për lobimin dhe për transparencën e pronarëve të mediave audiovizive, rrëzohet paketa “Tabaku”

Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik zhvilloi një mbledhje ku u shqyrtuan disa nisma ligjore, nga të cilat katër morën dritën jeshile dhe një u rrëzua nga votat e shumicës.

Në mbledhjen e drejtuar nga nënkryetarja Iris Luarasi, Komisioni miratoi në parim projektligjin e ri “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”, si dhe ndryshimet në ligjin për Mediat Audiovizive, ndërsa rrëzoi propozimin e deputetes së opozitës, Jorida Tabaku, për ndryshime në Kodin Penal për gazetarët.

Rrëzohet paketa “Tabaku”

Debati kryesor u fokusua te nisma e deputetes Jorida Tabaku, e cila propozonte ashpërsimin e dënimeve për ata që dhunojnë apo kërcënojnë punonjësit e medias. Projektligji parashikonte dënim me burg nga 1 deri në 5 vjet për goditje për shkak të detyrës ndaj gazetarëve dhe deri në 3 vjet për kanosje serioze. Gjithashtu, nisma kërkonte shfuqizimin e neneve për “Fyerjen” dhe “Shpifjen” nga Kodi Penal. Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit votuan kundër këtij projektligji.

Komisioni miratoi nismën e deputetes Iris Luarasi për ndryshime në ligjin e AMA-s. Këto ndryshime synojnë krijimin e një baze të dhënash kombëtare për pronësinë e mediave audiovizive, duke bërë të detyrueshme transparencën e pronarëve përfitues, në linjë me legjislacionin evropian (EMFA).

Gjithashtu, me praninë e Ministres së Shtetit Adea Pirdeni, u miratua ligji për Lobimin. Ky ligj synon të formalizojë për herë të parë ndikimin e grupeve të interesit në vendimmarrjen politike, duke e bërë procesin transparent dhe të gjurmueshëm.

Drita jeshile për Kodin Penal

Komisioni miratoi ndryshimet e propozuara nga Qeveria në Kodin Penal, të cilat sipas zv.ministrit të Drejtësisë, Tedi Dobi, harmonizojnë legjislacionin shqiptar me standardet e Kapitullit 24 të BE-së për drejtësinë dhe sigurinë.

Po ashtu, u miratuan ndryshimet në ligjin për masat ndaj dhunës në familje. Risia e këtij ligji qëndron te standardizimi i provave digjitale dhe zgjerimi i kategorive të mbrojtura, duke ofruar një paketë më të plotë sigurie për viktimat e dhunës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›