Komisioni për Mbikëqyrjen Institucionale i jep dritën e gjelbër ligjit të ri për “Lobimin”, zyrtarët të detyruar të deklarojnë takimet

Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale ka miratuar në tërësi projektligjin “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”. Nisma ligjore, e cila synon të rregullojë për herë të parë marrëdhëniet mes grupeve të interesit dhe politikëbërësve, u drejtua nga kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj.
Në mbledhjen ku ishin të pranishëm Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, si dhe krerët e institucioneve të pavarura, u diskutua mbi mekanizmat e rinj që do të garantojnë transparencën në vendimmarrje.
Gjatë prezantimit të projektligjit, Ministrja Pirdeni theksoi se kjo nismë nuk është thjesht një rregullim i brendshëm, por një detyrim në kuadër të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Ky projektligj e pozicionon Shqipërinë në një linjë të qartë përafrimi me standardet e GRECO-s dhe OECD-së për qeverisjen e hapur dhe integritetin publik,” u shpreh Pirdeni. Sipas saj, ligji mbush një boshllëk normativ, duke e kthyer lobimin nga një zonë gri në një veprimtari të ligjshme, të kontrollueshme dhe transparente.
Raportim i detyrueshëm për zyrtarët dhe lobistët
Thelbi i ligjit të ri qëndron te transparenca e detyrueshme. Projektligji parashikon ngritjen e mekanizmave ku jo vetëm lobistët, por edhe vetë zyrtarët publikë do të kenë detyrimin të deklarojnë çdo kontakt, takim apo komunikim që ka për qëllim ndikimin në politika.
Institucioni që do të mbajë “frerët” e këtij procesi do të jetë Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDHP). Ky institucion do të administrojë Regjistrin e Lobimit, do të verifikojë të dhënat dhe do të ketë tagrin për të vendosur masa administrative në rast shkeljesh.
Deputeti Erjo Mile, në cilësinë e relatorit, sqaroi aspektet financiare të zbatimit të ligjit. Ai bëri me dije se për vitin e parë nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, pasi ngritja e Regjistrit do të mbështetet teknikisht nga Këshilli i Evropës dhe kapacitetet ekzistuese. Megjithatë, duke parashikuar rritjen e volumit të punës, Mile sqaroi se duke nisur nga viti 2027, struktura e KDIMDHP-së pritet të zgjerohet me 5 punonjës të specializuar, të cilët do të merren ekskluzivisht me mbikëqyrjen dhe verifikimin e veprimtarive lobuese.
Pas diskutimeve dhe pyetjeve nga deputetët, Komisioni e miratoi projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi.
/rtsh.al/