E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares, GJKKO e rrëzon. Seanca e radhës më 9 shkurt. Avokatja: S’kam pasur kohë të njihesha me aktet

Seanca e radhës për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, do të zhvillohet më 9, në orën 12:00, ku Gjykata e Posaçme do të vendosë për kalimin ose jo të çështjes në gjykim.

Seanca e sotme në GJKKO u shoqërua me debate. Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk iu dha e drejta për t’u mbrojtur efektivisht. Avokatja kryesisht, Valentina Teodoresku, u shpreh se nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet dhe kërkoi shtyrjen e seancës, kërkesë që u rrëzua nga gjykata.

Gjyqtarja Etleva Deda kaloi në konkluzionet përfundimtare, duke e konsideruar të ezauruar fazën e mbrojtjes.

Pas këtij vendimi, Veliaj u largua nga salla e gjyqit, duke prentenduar se nuk po dëgjoj.

“Meqë s’po më dëgjoni, po iki”, tha Veliaj dhe braktisi seancën.

Pas seancës, avokatja Teodoresku deklaroi se kërkesa për shtyrje ishte e justifikuar, pasi kishte pasur vështirësi në takimet me klientin në paraburgim. Ajo theksoi se kishte kërkuar që Veliaj të pajisej me një laptop pa internet dhe një USB, në mënyrë që të njihej me dokumentacionin voluminoz të çështjes.

“Asgjë nuk ndodhi, unë kërkova të shtyhej seanca ngaqë kam shkuar dy herë në paraburgim. Një herë ka qenë i sëmurë duke marrë serum, herën tjetër realizova, biseduam por jo të mbaronim tërësisht, dhe nuk vendosëm se carë do të thonim. Unë kërkova shtyrje dhe kjo është e drejta ime. Taksinë e përmenda se kam paguar 2 herë… Nuk kam mjet transporti, kam marrë taksinë dhe kam paguar 80 mijë lekë. Unë më shumë kam dhënë sesa kam marrë. Këtë duhet ta ketë parasysh gjykata që nuk na paguajnë siç duhet. Unë i kërkova kohë gjykatës. I kërkova që gjykata ta pajisi Veliajn me një laptop pa internet dhe një USB se ai  kërkon që të njihet me dokumentet. Unë nuk mund t’ia them Veliaj 60 mijë faqe përmendësh”, u shpreh Teodoresku.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, si dhe me disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›