E Diel, 1 Nëntor 2026

Konstituohet Klubi Parlamentar për të Rinjtë

TIRANË, 3 prill /ATSH/ Klubi Parlamentar për të Rinjtë zhvilloi sot mbledhjen e parë konstituuese të legjislaturës së XI në Kryesinë e Kuvendit dhe diskutoi në lidhje me prioritetet, planin e punës dhe iniciativa konkrete për të mbështetur të rinjtë.

Në nisje të mbledhjes së Klubit Parlamentar për të Rinjtë përshëndeti Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, Genci Gjonçaj, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se kjo iniciativë e re për Kuvendin e Shqipërisë është e një rëndësie të veçantë pasi gjenden më pranë të rinjve.

Gjonçaj nënvizoi se Klubi Parlamentar për të Rinjtë do të jetë një zë i fortë në foltoren e Parlamentit sa i përket politikave rinore.

Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit foli edhe për projektin Dialog për Konsensus që mundëson diskutimin e projektligjeve mes palëve përpara se ato të paraqiten në seancë plenare ndërsa bëri thirrje që kjo nismë të promovohet.

Valbona Kuko, Drejtore e Fondacionit Ëestminster për Demokraci vlerësoi funksioninim e deritanishëm të këtij klubi ndërsa nënvizoi se pjesëmarrja duhet të jetë ndërpartiake.

Ndërsa, deputetja Erisa Xhixho ndau eksperiencën e saj si Kryetare e Klubit Parlamentar për të Rinjtë, ndërsa u shpreh se qëllimi i klubit ka qenë dhe do të mbetet mbështetja e të rinjve dhe synojnë krijimin e një fryme të re politike.

Deputetët anëtarë të klubit shprehën sugjerimet e tyre mbi veprimtarinë e klubit vullnetar ndërsa në fokusin e tyre do jetë mbështetja e të rinjve përmes iniciativave ligjore.

Gjatë kësaj mbledhje, deputetja Kiduina Zaka u zgjodh Kryetare e Klubit Parlamentar për të Rinjtë.

Në fjalën e saj, Zaka u shpreh se bashkëpunimi mes palëve do të sjellë mbështetje më të madhe ndaj të rinjve.

Klubi Parlamentar për të Rinjtë në përbërjen e tij ka deputetë të rinj dhe deputetë me interes për çështjet rinore nga grupe të ndryshme parlamentare.

Misioni i Klubit Parlamentar për të Rinjtë është lobimi dhe advokimi në promovimin dhe mbështetjen e legjislacionit dhe politikave miqësore ndaj të rinjve nga ana e Kuvendit, me qëllim të kontribuojë dhe promovojë një sistem politik gjithëpërfshirës, veçanërisht për të rinjtë.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›